Burim Ramadani ka deklaruar se bllokada mbi gjashtëmujore në Kuvendin e Kosovës është pasojë e mungesës së shumicës parlamentare për formimin e Qeverisë Kurti 3.
Ramadani në një prononcim për GazetaBlic thekson se, interesat partiake dhe personale janë vendosur mbi ato shtetërore, duke bllokuar funksionimin e Kuvendit me mjete të ndryshme.
“Krejt bllokada mbi 6 mujore ka vetëm një arsye: mungesën e shumicës parlamentare për ta bërë Qeverinë. Rrjedhimisht, as në prill dhe as në tetor nuk ka shumicë që voton për Qeverinë Kurti 3. Kështu, interesi partiak e personal u vendos mbi interesat shtetëror dhe Kuvendi u mbajt i bllokuar, duke përdorur instrumente të ndryshme”, tha ai.
Sipas tij, nuk pritet as koalicion i ri, as korruptim i deputetëve në fund të tetorit, ndërsa zgjedhjet e parakohshme parlamentare në dhjetor mbeten të mundshme, përveç nëse Gjykata Kushtetuese vendos Masë të Përkohshme për shkak të ankesës së deputetëve serbë.
“E vërteta e kësaj nuk ka ndryshuar. Nuk pres as befasi koalicioni dhe as korruptim të deputetëve në këtë fund tetori. Kosova mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare në dhjetor. Këtë mund ta shtyejë vetëm Gjykata Kushtetuese nëse vendos Masën e Përkohshme pas ankesës së deputetëve serb rreth konstituimit të Kuvendit”, shtoi Ramadani.
Ramadani paralajmëron se Kosova mund të hyjë në vitin 2026 me një krizë të thellë politike, buxhetore dhe institucionale.
“Në këtë mënyrë, Kosova kalon në vitin 2026 në krizë të thellë politike, buxhetore dhe institucionale”, tha Ramandani për GazetaBlic.