Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka reaguar për situatën politike dhe për shkeljet e kushtetutshmërisë lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja.
Ramadani thekson se Aleanca nuk e konteston fitoren e VV-së në zgjedhjet e 7 qershorit, e as të drejtën e saj për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë, por kërkon që ky mandat të zbatohet në praktikë.
Sipas tij, Aleanca ka ofruar mbështetje për zgjedhjen e Presidentit përmes një pakete me gjashtë propozime, pa kërkuar asnjë pozitë apo përfitim partiak.
“Ne nuk kontestojmë fitoren e VV-së. Duam që në zgjedhjet e ardhshme të fitojmë ne, por momentalisht fitoren e ka pasur VV”, ka shkruar Ramadani.
Ai ka kritikuar VV-në për refuzimin, sipas tij, për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit, duke theksuar se kjo po e pengon konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.
Ramadani ka thënë gjithashtu se Aleanca nuk ka marrë asnjë përgjigje për ofertën e saj 6-pikëshe që nga 26 qershori, përmes së cilës kishte ofruar shtatë votat e saj për kuorumin e nevojshëm në procesin e zgjedhjes së Presidentit.
“Duke mos konstituuar Kuvendin, nuk po e bëjnë Qeverinë e re, për të cilën populli e ka votuar më 7 qershor. Pra, po e lënë Kosovën pa Parlament e pa Qeveri”, ka deklaruar ai.
Në fund, deputeti i Aleancës ka paralajmëruar se do të vazhdojë të ngrejë zërin për shkeljet e Kushtetutës.
“Prandaj, ne alarmojmë për shkeljen e Kushtetutshmërisë. Ne jemi aktiv dhe do të jemi vazhdimisht në promovim e mbrojtje të kushtetutshmërisë. Mbajeni pushtetin, por harrojeni që mund ta prishni shtetin!”, ka shkruar Ramadani.




