25.7 C
Mitrovice
E shtunë, 4 Korrik, 2026
spot_img
spot_img

Rama nesër vizitë zyrtare në Kosovë, kjo është agjenda e tij

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të qëndrojë nesër për një vizitë njëditore në Kosovë, duke mbajtur kështu premtimin që i bëri homologut të tij kosovar Albin Kurtit.

Rama viziton Kosovën pas kthimit nga SHBA ku mori pjesë në Asamblenë e OKB-së.

Bashkë me Ramën do të jetë edhe një pjesë e kabinetit qeveritar.

Vizita e Ramës zhvillohet pas ftesës së Kurtit, kur ky i fundit e uroi me rastin e zgjedhjes për herë të tretë kryeministër i Shqipërisë.

Arsyeja e vizitës së tij janë tensionet dhe sulmet në veri të Kosovës, që nisën një javë më parë, kur Qeveria e Kosovës, vendosi reciprocitet për targat e përkohshme për automjetet me targa të Serbisë.



Takimi i parë i Ramës do të jetë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, me të cilin do të bisedojë për tensionet e fundit me Serbinë, por edhe do të jetë takimi i parë pas një kohe të gjatë që dy kryeministrat replikojnë në distancë për iniciativën “Open Balkan”.

Qëndrimi i kryeministrit shqiptar mbi reciprocitetin e targave me Beogradin, pritet të publikohet në një konferencë shtypi.

Rama nuk do të takohet me presidenten, Vjosa Osmani dhe as me kryeparlamentarin, Glauk Konjufca.

Mirëpo, ai do të pritet në takim nga tre liderët e opozitës: Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Rama do të dekorojë edhe akademikun, Rexhep Qosja.

TË FUNDIT

TË FUNDIT