3.2 C
Mitrovice
E shtunë, 30 Nëntor, 2024
spot_imgspot_img

QKUK shpenzon mbi 34 milionë euro, e pacientët s’kanë as barna

Për 9 muajt e parë të këtij viti, Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka shpenzuar mbi 34 milionë euro, nga rreth 50 milionë sa është buxheti i saj për këtë vit. Ndonëse miliona euro janë shpenzuar nga ky institucion, pacientët edhe më tej ballafaqohen me mungesë të barnave e materialit shpenzues.

Mbi 34 milionë euro janë shpenzuar nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës për 9 muajt e parë të këtij viti. Derisa nga buxheti që i është ndarë për këtë vit, QKUK-së i kanë mbetur edhe rreth 15 milionë euro. Nga ky institucion kanë thënë për “Zërin” se buxheti prej rreth 50 milionë euro që i është ndarë atyre për këtë vit, ka qenë i pamjaftueshëm. Përkundër që miliona euro janë shpenzuar nga QKUK, pacientët gjatë këtij viti, është dashur që të sigurojnë vetë shumë barna e materiale shpenzuese të cilat kanë qenë në Listën Esenciale të Barnave, e të cilat është dashur të gjenden në klinika.

Pacientët edhe më tej po detyrohen tu drejtohen barnatoreve private për të siguruar barnat të cilat u përshkruhen nga mjekët gjatë trajtimit të tyre mjekësorë. Për shkak të mungesës së medikamentit fentanyl (Medikament për dhimbje), gjatë këtij viti në disa klinika të QKUK-së janë shtyer edhe operacionet. Në anën tjetër, përkundër mungesës së barnave, disa nga klinikat e QKUK-së punojnë edhe me aparatura shumë të vjetra. Derisa, kërkesat për furnizim me aparatura të reja janë bërë, disa nga klinikat ende nuk janë furnizuar me to.

Bytyqi: Buxheti i pamjaftueshëm, QKUK ka shpenzuar 70 për qind të tij. Shefi i sektorit të financave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Sherif Bytyqi ka thënë për “Zërin” se rreth 70 për qind e buxhetit që i është ndarë këtij institucioni për këtë vit është shpenzuar. Sipas tij, ky buxhet është shpenzuar për paga, mallra dhe shërbime, shpenzime komunale e investime kapitale. “Buxheti i QKUK-së për vitin 2019 është 49.722.806.03 euro, është buxhet i QKUK-së dhe nuk është i ndarë në klinika. Deri në nëntëmujorin e këtij viti janë shpenzuar 34.212.126.01 euro apo rreth 70%. Buxheti ka qenë i shpenzuar në paga, mallra dhe shërbime, shpenzime komunale dhe investime kapitale”, ka thënë ai. Bytyqi ka theksuar se buxheti që i është ndarë QKUK-së për këtë vit, ka qenë i pamjaftueshëm“. Buxheti i këtij viti nuk ka qenë i mjaftueshëm në raport me kërkesat dhe nevojat që ka QKUK, por bazuar në buxhetin e këtij viti ne jemi detyruar qe edhe kërkesat dhe nevojat t’i përshtatim me masën buxhetore dhe t’i plotësojmë nevojat e klinikave”, ka shtuar ai.

Nevoja për aparatura të reja, Drejtori i Klinikës së Biokimisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Shemsi Veseli ka thënë për “Zërin” se kanë bërë kërkesa për tu pajisur me disa aparatura të cilat janë të nevojshme për klinikën. Sipas tij, janë ndarë rreth 100 mijë euro për aparatura të cilat janë të nevojshme për këtë klinikë. “Ne jemi në pritje të kërkesës që kemi bërë, sepse u patën ndarë diku 100 mijë euro për aparatura për laboratorin e Klinikës së Biokimisë. Se a do të vinë ato, nuk e di. Kërkesat tona janë edhe për analiza të tjera. Për sëmundjet autoimune e kemi bërë kërkesën, sidomos për aparaturat që janë gjegjëse. Kërkesat kanë qenë që të vinë disa aparate për njësinë e hematologjisë që do të aktivizohet edhe brenda Biokimisë.

Ne kemi bërë kërkesë për një aparaturë të sofistikuar dhe në qoftë se ata gjejnë buxhet për të na sjell atë, atëherë do të jemi në rajon si shtet i fuqishëm sa i përket analizave”, ka thënë ai. Përndryshe sa i përket furnizimit me produkte të nevojshme për këtë klinikë, Veseli ka përmendur vitaminën D, e cila siç ka thënë ai ka kosto shumë të larë dhe nuk mund të përballohet nga kjo klinikë. “Për momentin ne nuk kemi pasur ndonjë stagnim përpos që vitaminën D për shkak të kostos shumë të lartë, nuk po mundemi ta përballojmë sepse 980 është një paketim, dhe këto të holla po duhet t’i orientojmë që të blejmë paketimet që janë të hormoneve të gjëndrës tiroide. Për momentin nuk kemi ndonjë mungesë të reagjentëve.

Edhe pse jemi në renovim, në kushte jashtëzakonisht të vështira vetëm për hir të pacientëve jemi duke punuar”, ka shtuar ai. Keqmenaxhimi i buxhetit në shëndetësi, Ish-anëtarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku ka thënë për “Zërin” se ka pasur keqmenaxhim të fondeve në shëndetësi. Ajo ka thënë se nëse Kosova do të kishte një Sistem Informativ Shëndetësorë, atëherë do të diheshin nevojat e sakta në këtë fushë.

“Gjithë qeveritë e pasluftës kanë bërë zgjedhje ad-hoc. Nuk ka pasur një financim të qëndrueshëm në të cilin ke mundur të bazohesh. Pastaj ka munguar Sistemi Informativ Shëndetësorë në bazë të cilit ish bërë edhe ligji për sigurim shëndetësorë dhe ishin kuptuar nevojat e sakta. Ne nuk e dimë se as sa e ka përputhshmërinë e vërtetë, e as nuk i dimë kërkesat e vërteta. Ka pasur keqmenaxhim edhe të fondeve ekzistuese. Për shumë shërbime janë ndarë mjetet për trajtim jashtë përderisa për pjesën më të madhe ka qenë e mundur të sigurohet edhe në vend trajtimi. Keqmenaxhimi i buxhetit është shumë i rëndësishëm”, ka thënë ajo.

Kollçaku ka thënë më tej se shëndetësia nuk ka qenë asnjëherë prioritet në vend, dhe se qytetarëve asnjëherë nuk i është garantuar lista esenciale e barnave. “Ne e dimë që në Kosovë vazhdimisht është ndarë një shumë jo e mjaftueshme për shëndetësinë sepse nuk ka qenë prioritet asnjëherë dhe e gjithë kjo ka pasur si pasojë vuajtjet e pacientit. Edhe në bazë të raportit të fundit për vendin, është konstatuar se gjysma e shpenzimeve shkon direkt nga gjepi i pacientëve. Thuhet se ka barna, thuhet se është lista esenciale, por asnjëherë nuk është garantuar ajo listë esenciale për pacientin. Ka pasur keqmenaxhim, mungesë të financimit të qëndrueshëm, e moszbatim të mirëfilltë të ligjeve”, ka shtuar ai.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT