Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) se ka shënuar një avancim të rëndësishëm në fushën e urologjisë, duke realizuar për herë të parë në Kosovë intervenimin kirurgjik minimal invaziv Nephrolitotomia Perkutane (PCNL – Percutaneous Nephrolithotomy) për trajtimin e gurëve të mëdhenj në veshka.
ShSKUK njofton se deri më tani, pacientët me këtë patologji kanë qenë të detyruar të kërkojnë trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore.
“Fillimi i aplikimit të kësaj procedure në QKUK përbën një hap të rëndësishëm në avancimin e shërbimeve urologjike dhe në ofrimin e trajtimeve moderne brenda sistemit publik shëndetësor në Kosovë. Procedura është realizuar nga ekipi i Klinikës së Urologjisë në bashkëpunim me Klinikën e Anesteziologjisë, duke përdorur teknologjinë bashkëkohore të laser-it holmium, e cila mundëson thyerjen dhe largimin e gurëve në veshka përmes një qasjeje minimale invazive”, thuhet në njoftim.
“Metoda PCNL përdoret për trajtimin e gurëve të mëdhenj në veshka dhe realizohet përmes një prerjeje shumë të vogël në lëkurë, duke mundësuar qasje direkte në veshkë. Kjo teknikë redukton traumën kirurgjike, kohën e qëndrimit në spital dhe periudhën e rikuperimit të pacientit. Pacienti me inicialet N.M., i lindur në vitin 1967, është rasti i parë që i’u nënshtrua me sukses këtij intervenimi dhe është liruar për në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore”, thuhet në njoftim.



