spot_img
spot_img

Qeveria rialokon 102 milionë euro për pagën e 13-të dhe shtesën 0.5 për përvojë pune

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për rialokimin e 102 milionë eurove në buxhetin e Kosovës.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se 102 milionë euro do të ndahen në kontingjencën e pagave, me qëllim të mbulimit të kostos së pagës së 13-të për punonjësit e sektorit publik, si dhe pagesave retroaktive për diferencën e shtesës prej 0.5 për qind, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Që nga ky vit me anë të Ligjit për ndarje buxhetore e kemi mbuluar shtesën prej 0.5 për qind, mirëpo hapësira e pambuluar që ka mbetur është prej kur ka hyrë ligji i pagave në fuqi deri në fund të vitit të kaluar, pjesë e cila parashihet të mbulohet me këtë ndarje”, ka deklaruar Murati në mbledhjen e Qeverisë.

Sipas tij, nga kjo ndarje buxhetore do të ndahen edhe 20 milionë euro për pensionet bazike, për të mbuluar rritjen e numrit të pensionistëve.

“Gjithashtu edhe një pjesë tjetër prej 20 milionë eurosh parashihet të dedikohet tek pensionet bazike që të mbulohet kostoja e rritjes së natyrshme të pensionistëve”, ka shtuar ai.

Vitin e kaluar, Qeveria kishte ndarë pagën e 13-të për punonjësit e sektorit publik.

Ndërkaq, shtesa prej 0.5 për qind lidhet me përvojën e punës në sektorin publik. Sipas skemës së mëparshme, për çdo vit përvojë pune punonjësit përfitonin 0.5 për qind shtesë mbi pagën bazë. Kështu, një punëtor me 10 vjet përvojë përfitonte shtesë prej 5 për qind.

Me hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga në vitin 2022, kjo shtesë u ndryshua. Për 15 vitet e para të përvojës, ajo u përgjysmua në 0.25 për qind për vit, ndërsa pas vitit të 15-të aplikohej norma prej 0.5 për qind. /Insajderi.org/

TË FUNDIT

TË FUNDIT