-0.3 C
Mitrovice
E mërkurë, 21 Janar, 2026
spot_img

Qeveria Hoti sot merr vendim: Nga 22 marsi të mbahet vetëm mësim online

Qeveria në detyrë e Kosovës ka vendosur që të mbesin në fuqi masat antiCOVID të cilat u vendosën për mbrojtjen dhe parandalimin e përhapjes së koronavirusit, shkruan Gazeta Sinjali.

Përmes një postimi në Facebook, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka njoftuar se sot pasdite do të merret vendimi që, duke filluar nga 22 marsi në të gjitha nivelet e arsimit, për dy javët e ardhshme mësimi nëpër shkolla të mbahet online.

“Pas takimit me Ministrin e Shëndetësisë, z. Armend Zemaj, drejtorin e IKSHPK-së, z. Naser Ramadani, drejtorin e SHSKUK-së, z. Valbon Krasniqi dhe zëvendës Ministrin e Arsimit Xhavit Rexhaj, vendosëm që të mbesin në fuqi masat e njëjta kundër Covid-19, pasi që trendët janë stabile. Po shqyrtohen mundësitë për fillimin e mësimit online në të gjitha nivelet e arsimit, për dy javët e ardhshme, duke filluar nga 22 marsi. Vendimi lidhur me këtë çështje pritet të merret sot pasdite pas takimit të përbashkët të MASH-it, MSH-së , IKSHPK-së, SBASHK-ut dhe Këshillit të Prindërve”, ka thënë Hoti.

Tutje, Hoti ka thënë se përkundër ngarkesave, institucionet shëndetësore po funksionojnë me kapacitete të plota dhe furnizimi me barna është stabil.

“Edhe një herë kërkuam nga qytetarët që të respektojnë distancën fizike, të përdorin maskat dhe të mirëmbajnë higjienën personale. Ndërsa nga institucionet përgjegjëse për kontrollin e zbatimit të masave kundër Covid -19, që të ngrisin nivelin e angazhimit përmes respektimit rigoroz të masave në fuqi. Përkundër ngarkesave, institucionet shëndetësore po funksionojnë me kapacitete të plota dhe furnizimi me barna është stabil. Ndërsa Komiteti për Imunizim dhe institucionet përkatëse janë duke i kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme që sapo të arrijë kontingjenti i parë i vaksinës COVAX, menjëherë të filloj vaksinimi i qytetarëve”, ka përfunduar Hoti./Gazeta Sinjali/

TË FUNDIT

TË FUNDIT