Mediat serbe që njihen për animin e tyre për pushtetin e Vucic në ballinat e tyre kishin tituj histerik dhe pas deklaratës së presidentit rus Vladimir Putin se Kosova qenka precedent për shpalljen e pavarësisë së gjoja republikave të Luhansk dhe Donjetsk.
Ballinat mediave serb janë të mbushura me vajtimet se ‘Rusia tradhtoi Serbinë’ për interesa të vete pasi këmbeu ‘Donbasin për Kosovën’.
Siç shkruajnë mediat serbe presidenti serb Vucic do t’i adresohet publikut të premten ose të shtunën, e në atë rast do të merret me komentet e presidentit rus Putin, e siç pritet Vucic do të flasë edhe për furnizimin me gaz në Serbi nga Rusia.
Analistët e ndryshëm serbë kanë komentuar deklaratën e Putin në mediat e ndryshme. Profesori serb Dusan Janjic, themeluesi i Forumit për marrëdhënie ndëretnike tha se Putin nuk do të pranonte pavarësinë e Kosovës në “shkëmbim me Donbasin e Krimenë”. Ndërsa politikologu dhe gazetari Boris Varga u shpreh se raportet e mediave se ‘Putin pranoi Kosovën’ i konvenojnë të gjitha palëve në Serbi, e ndoshta më së shumti qeverisë dhe presidentit Vucic.
Varga tha se në mediat pro qeverisë në Serbi po punohet që akuza për tradhti të kthehet nga Putin, duke sugjeruar se ai pranoi Kosovë dhe ndoshta duhet ndryshuar politikën ndaj Rusisë.
“Tabloidet janë ato ‘daulle’ që paralajmërojnë atë politikë të paketuar dhe e pamë që po përgatitet një ftohje e marrëdhënieve me Rusinë”, tha Varga për televizionin N1.
Janjic kujtoi se Moska gjithmonë ka “pretenduar se Kosova është precedent’, dhe kjo është përmendu edhe më 2008 gjatë konflikteve rreth Abkhzisë dhe Osetisë Jugore.
“Moska gjithmonë e ka synuar këtë si precedent”, tha Janjic.
Janjic tërhoqi vërejtjen poashtu se neutraliteti i proklamuar i Serbisë ishte gjithmonë anti-perëndimor.
“Nuk kishte kurajë që të shpallej neutraliteti politik, e shpall ai ushtarak që ishte një shtysë për qëndrimin anti-perëndimor, pro rus”, tha Janjic./gazetametro.net