Vrasësi serik Diogo Alves ende frikëson kalimtarët që ndeshen me shikimin e tij të ftohtë, edhe pse kanë kaluar më shumë se 177 vjet nga ekzekutimi i tij.
Koka e tij e ruajtur në mënyrë perfekte është në një kavanoz qelqi në Fakultetin e Mjekësisë në Portugali.
I lindur në 1810 në Galicia, një provincë autonome spanjolle në kufi me Portugalinë, Alves punoi si shërbëtor në shtëpitë e qytetarëve të pasur në Lisbonë që në moshë të re. Kur mbushi 26 vjet, filloi të punonte në shtëpitë përgjatë ujësjellësit Agvas Livres, një kanal 18 kilometra i gjatë që jo vetëm e furnizonte qytetin me ujë, por ishte edhe një urë dhe një rrugë për tregtarët. Ishte në këtë pikë që Diogo Alves filloi një seri vrasjesh të tij.
Alves po priste viktimat e tij në urë teksa po ktheheshin nga qyteti me paratë që kishin fituar. Pasi i grabiste i hidhte në kanal. Fillimisht policia mendoi se bëhej fjalë për një sërë vetëvrasjesh, por shumë shpejt popullata vendase filloi të dyshonte se mes tyre ishte edhe vrasësi. Në tre vitet e ardhshme, Alves vrau 70 njerëz dhe policia përfundimisht mbylli urën. Megjithatë, kjo nuk e pengoi Diogon të vazhdonte veprat e tij mizore. Ai krijoi një bandë që grabiti dhe vriste pronarët e rezidencave të pasura ku ai punonte dhe pasi hyri në shtëpinë e një mjeku dhe vrau të gjithë familjen, policia e kapi.
Vrasësi u ekzekutua me varje, por historia e tij nuk mbaroi me kaq. Përkatësisht, Alves u ekzekutua në kohën kur frenologjia si shkencë ishte ende në fillimet e saj. Kjo disiplinë, që sot konsiderohet pseudoshkencë, u zhvillua nga mjeku gjerman Franz Josef Gal. Frenologjia pohoi se forma e kafkës zbulon karakterin dhe madje edhe prirjet e njeriut. Prandaj nuk është për t’u habitur që frenologët portugez u interesuan për kokën e një krimineli si Alves. Diogo u bë i famshëm pas vdekjes dhe koka e tij, së bashku me pjesën tjetër të trupit të tij, frymëzoi një libër komik, një biografi fiktive, një roman, si dhe një film pa zë të vitit 1911 – “Os Crimes de Diogo Alves”.