Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e juristit Durim Berisha, i cili është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Ngacmimi” dhe “Detyrimi”, ndaj një imami i të BIK.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se Berisha ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në komunikim me palën e dëmtuar, ndërsa organi i akuzës thotë se ka siguruar prova relevante që mbështesin dyshimet fillestare.
Në reagim, Prokuroria ka sqaruar se rasti nuk ndërlidhet me pretendimet apo denoncimet publike të bëra nga i dyshuari, duke theksuar se disa raportime mediatike nuk përputhen me gjendjen faktike të konstatuar deri në këtë fazë të hetimeve.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria Themelore në Prishtinë ndalon një person të dyshuar për ngacmim dhe detyrim
Prishtinë, 2 maj 2026 – Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se, me urdhër të prokurorit kujdestar , është ndaluar për 48 orë një person i dyshuar me inicialet D.B.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale ‘’Ngacmimi’’, sipas nenit 182, dhe ‘’Detyrimi’’, sipas nenit 328 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Bazuar në dyshimet fillestare, i dyshuari ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në komunikim me palën e dëmtuar, për çka Prokuroria ka siguruar prova relevante që mbështesin këto dyshime.
Prokuroria thekson se ky rast nuk ndërlidhet me pretendime apo denoncime publike të bëra nga i dyshuari, siç është raportuar në disa media. Këto raportime janë bazuar në deklarata të avokatit mbrojtës të të dyshuarit dhe nuk përputhen me gjendjen faktike të konstatuar deri në këtë fazë të hetimeve nga organet kompetente.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe sigurimin e vënies para drejtësisë të të gjithë personave që bien ndesh me ligjin.



