Prodhuesi, Berat Mustafa, pronari i kompanisë “Fluidi Grup” (prodhues i vajit), tha në protestën e bizneseve me kërkesën për shtyrjen e tregut të lirë të energjisë elektrike, se asnjë prodhues nuk mund të konkurrojë me 300% më shumë kosto të energjisë në treg, përballë prodhuesve të rajonit që na rrethojnë.
“Kjo është diçka e pamundur. Unë nuk po kërkoj ndihmë vetëm nga prodhuesit, por nga të gjitha institucionet dhe qytetarët që të jenë përkrah prodhuesve vendorë.
Ky është momenti i fundit kur ata mund të na ndihmojnë. Nëse nuk na ndihmojnë, besoni se të gjithë do të falimentojmë.
Nuk është vetëm çështja e KESCO-s. Çmimi që na është ofruar është 265 euro për Mwh.
Kjo është e papërballueshme, kur e dimë se në rajon, energjia për prodhuesit kushton diku rreth 110–120 euro, maksimumi 130 euro.
Si mund të konkurrojmë ne në treg me një çmim që është 300% më i lartë për energjinë? Nuk ka ofertë të drejtë, nuk ka çmim të arsyeshëm. Kjo është thelbi i problemit”, tha Mustafa.