-7.4 C
Mitrovice
E martë, 13 Janar, 2026
spot_img

Pritet të nisë faturimi i ujit edhe në komunat veriore të Kosovës

Pas dy dekadash e gjysmë, qytetarët që jetojnë në veri të vendit do t`i marrin faturat mujore për shpenzimin e ujit. Me gjithë vështirësitë në këtë zonë, pasi mungojnë adresat e probleme të tjera komunale, ky projekt pritet të jetësohet në mars ose prill të këtij viti.

E nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” kanë thënë se janë duke rekrutuar staf për të vazhduar më tutje me procesin.

“Jemi në proces të rekrutimit të stafit, shpresojmë që në javën e ardhshme të hapim konkursit për pjesës tjetër të stafin, Menaxherët e njësive veç kanë filluar punën që nga data 5 për tri njësitë operative në veri, po ashtu edhe për impiantin në Zubin Potok”, tha për RTK, Bashkim Kurti, kryeshef në KRU “Mitrovica”.

Autoritetet bëjnë të ditur se faturimi nuk do të jetë retroaktiv, pasi fillimisht duhet të bëhet regjistrimi i konsumatorëve dhe instalimi i matësve të ujit.

“Jo, retroaktivisht nuk mundemi me u kthy se është proces i cili don kohë. Fillimisht duhet stafi, duhet evidentimi i konsumatorëve, regjistrimi se nuk kemi as numër të saktë në atë pjesën andej. Ka punë, por po shpresojmë orientimisht që diku nga data me fillu diku mars – prill i këtij viti edhe të shohim qysh po na shkojnë proceset në fund”, tha ai.

Ndërkohë, një pjesë e qytetarëve në veri shprehen të gatshëm ta paguajnë ujin, për sa kohë furnizimi mbetet i rregullt.

“Nuk paguajmë, le të paguhet, do ta paguaj pse jo. Po, Po do të paguajmë. Tash kemi ujë, furnizimi me ujë është në rregull”, tha një banor i veriut të Mitrovicës.

“Vetëm le të ketë ujë të gjitha tjerat janë të mundshme. Do ta paguajmë pa problem. Patjetër do ta paguajmë, pse jo”, tha Slavko Mandiq, banor në veri të Mitrovicës.

Së fundmi, kompania ka nënshkruar edhe kontratën e parë për faturim me Komunën e Mitrovicës së Veriut, e cila konsiderohet si hap simbolik, por i rëndësishëm drejt shtrirjes së plotë të shërbimit.

“Qytetarët janë të gatshëm t’i kryejnë obligimet si në komunat tjera. Rryma ka filluar të paguhet para një viti, tash duhet edhe uji dhe shërbimet e tjera”, tha Nexhat Ugljanin, banor në veri të Mitrovicës.

Autoritetet paralajmërojnë se kontrata të ngjashme do të nënshkruhen edhe me institucione të tjera publike dhe me qytetarët, duke e konsideruar bashkëpunimin institucional si çelës për shërbim të qëndrueshëm dhe ligjor të furnizimit me ujë në veri.

TË FUNDIT

TË FUNDIT