Më 15 nëntor, në Royal Regency Hotel, në Yonkers të Nju-Jorkut, familja Osmani organizoi pritjen për ngushëllime me rastin e ndarjes nga jeta të prindit, vëllait dhe familjarit të tyre, Osman Osmani, i cili ndërroi jetë më 18 tetor në Prishtinë.
Që nga orët e para të mëngjesit, pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan, miq dhe bashkëpunëtorë të të ndjerit, në grupe të shumta, pritën në radhë për t’i shprehur ngushëllimet familjes Osmani. Pjesëmarrja ishte masive dhe dëshmoi respektin e madh që gëzonte Osmani në mesin e bashkatdhetarëve.
Ndër personalitetet e shumta që morën pjesë për t’i shprehur ngushëllime familjes Osmani ishte edhe ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, me të cilin i ndjeri Osman Osmani kishte ndërtuar një miqësi të ngushtë dhe një marrëdhënie të veçantë respekti të ndërsjellë.
Osman Osmani do të kujtohet si një veprimtar i përkushtuar, si një atdhetar i shquar, njëri ndër themeluesit e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe një lobist, mik i shumë personaliteteve, filantrop dhe ndërmarrës i shquar, i cili la gjurmë të çmuara në jetën e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe në përpjekjet për çështjen e Kosovës./koha.net



