-1.8 C
Mitrovice
E mërkurë, 7 Janar, 2026
spot_img

Presidenca për hetimet ndaj Osmanit: Po dihet pse po ndodhin në këtë fazë

Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se e mirëpret verifikimin e pasurisë së Osmanit nga Agjencia Kundër Korrupsionit duke shtuar se ai duhet të bazohet në pavarësi dhe paanshmëri, e jo “në fushata njollosëse”, për të cilat sipas tij, dihet saktësisht pse po ndodhin në këtë fazë.

“Ne nuk kemi informacione të tilla, por Presidentja Osmani mirëpret çfarëdo verifikimi nga cilido institucion, për sa kohë që ai bazohet në pavarësi, paanshmëri, integritet, ligj dhe fakte të vërteta, e jo në fushata njollosëse, për të cilat dihet saktësisht pse po ndodhin në këtë fazë”, tha Kupina për VOX Kosova.

VOX Kosova raportoi të hënën se Agjencia Kundër Korrupsionit ka nisur procedurën zyrtare të verifikimit të pasurisë së Presidentes, pasi janë gjetur dallime të theksuara në deklarimin e pasurisë së saj ndërmjet viteve 2024 dhe 2025.

Burime brenda këtij institucioni kanë konfirmuar për VOX Kosova se procedura ka filluar pasi janë vërejtur mospërputhje në sasinë e pasurisë së deklaruar nga Presidentja në formularët vjetorë të deklarimit të pasurisë për zyrtarët publikë.

Ndryshimet lidhen kryesisht me rritjen e kursimeve, si dhe me shtimin e shumës së parave të gatshme të deklaruara.

Në dokumentet e dorëzuara për vitin 2025 vërehen lëvizje të konsiderueshme krahasuar me një vit më parë, çka ka nxitur institucionin përgjegjës të ndërmarrë verifikime shtesë, ashtu siç parashihet me ligj.

Osmani, e cila shpesh përmendet në opinionin publik për standardin e saj të jetesës, ka blerë një shtëpi në një lagje luksoze në periferi të Prishtinës.

Ajo posedon edhe patundshmëri të tjera, përfshirë prona në Australi, ku vetëm një shtëpi figuron me vlerë mbi gjysmë milioni euro.

Po ashtu, në deklarimin e pasurisë të vitit të kaluar, ajo ka deklaruar se, bashkë me bashkëshortin, posedojnë edhe një banesë në Prishtinë, si dhe tokë dhe një shtëpi tjetër në Australi.

TË FUNDIT

TË FUNDIT