Mosftesa e Kosovës nga SHBA në Samitin për demokracinë i organizuar nga kjo e fundit ka ngjallur reagime të ndryshme në mesin e figurave publike të ndryshme, shkruan Mitrovica SOT.
Disa konkluduan se Kosova nuk u ftua për shkak të problemeve me korrupsionin. Por të tjerët nuk e pranojnë këtë konkludim, duke theksuar faktin se Kosova qëndron më mirë se, ta zëmë, edhe Shqipëria si për nga niveli i korrupsionit e si për nga demokracia, e megjithatë është ftuar në këtë samit. Ata thonë se mosftesa e Kosovës është sinjal i qartë diplomatik i pakënaqësisë me sjelljen e Qeverisë Kurti.
Cila është, pra, arsyeja e vërtetë prapa mosftesës së Kosovës në këtë samit, edhe kur kihet parasysh se do të jetë virtual, diçka që e bën më të lehtë akomodimin?
Politologu amerikan, Alon Ben-Meir, tha se Kosova u përjashtua sepse kryeministri Kurti nuk po e vë dialogun me Serbinë si top prioritet.
“Bazuar në hulumtimin tim, Kosova u përjashtua sepse Kurti ende nuk po e vendosë dialogun me Serbinë si top prioritet, për të cilin administrata Biden ndjen se është i nevojshëm për të zgjidhur konfliktin me Serbinë”, shkroi ai.
Ai shkroi se fakti që Kurti e ka vendosur dialogun me Serbinë si numër katër në prioritetet e tij nuk është pritur mirë në Washington.
Postimi:
“Kur ke parasysh faktin se shumë pak është zbuluar rreth Samitit për Demokraci, është vështirë të thuhet me siguri absolute se përse nuk u ftuan Kosova, Serbia dhe Bosnia. Por bazuar në hulumtimin tim si duket Kosova është përjashtuar për shkak se kryeministri Albin Kurti ende nuk e ka vendosur dialogun me Serbinë (pra angazhimin në procesin e pajtimit/normalizimit) si prioritet të lartë, të cilin administrata Biden ndjen se është i nevojshëm për të zgjidhur konfliktin me Serbinë. Megjithëse Kurti është i fokusuar në temat e këtij Samitit siç janë luftimi i korrupsionit, lufta kundër autoritarizmit dhe përparimi i të drejtave të njeriut, fakti që Kurti e vendos konfliktin me Serbinë si të katërtin në axhendën e tij nuk është pritur mirë në Washington.”



