7 C
Mitrovice
E martë, 4 Nëntor, 2025
spot_img

Policia thotë se nuk e di saktë ç’ndodhi në veri, Osmani e Sveçla lypin ndihmë nga bota

Fillimisht Policia e Kosovës njoftoi se kishte dyshime për rrëmbimin e një serbi lokal në Leposaviq nga disa pjesëtarë të Xhandarmërisë serbe, të cilët e kishin kaluar kufirin ilegalisht. Por, ndonëse më vonë doli zëvendës-drejtori për veri dhe sqaroi që nuk dihet saktë se çka ka ndodhur, liderët e shtetit e dhanë verdiktin, shkruan Gazeta Metro.

Veton Elshani, i cili është në krye të Policisë në veri, tha se deri më tash nuk dihet nëse kjo ngjarje ka ndodhur në territorin e Kosovës apo në Serbi, meqë nuk ka shumë detaje.

Sidoqoftë, për presidenten Vjosa Osmani dhe ministër-deputetin Xhelal Sveçla mjaftoi njoftimi i parë i Policisë, duke thënë me siguri se xhandarët serbë ishin futur në territorin e Kosovës dhe e kishin rrëmbyer një qytetar të Kosovës.

Të dy kërkuan reagim të menjëhershëm nga bota demokratike për shkeljen e territorit nga Serbia, edhe pse siç tha Elshani, për momentin ende nuk ka hollësi për atë se çfarë ndodhi në të vërtetë.

“Serbia, e cila çdo ditë bën propagandë e dezinformata për të drejtat e serbëve në Kosovë, ka plagosur dhe më pas ka kidnapuar një qytetar serb të Kosovës”, tha presidentja e Kosovës, dy ditë pas ngjarjes.

“Kjo qasje agresive dhe provokuese e Serbisë është e papranueshme. Ajo përbën shkelje të rëndë të kufijve tanë shtetërorë dhe të të drejtave të qytetarëve tanë”, tha për këtë ngjarje ministri në detyrë i Punëve të Brendshme.

Policia e Kosovës njëherë tha se ka dyshime që një serb lokal është arrestuar nga xhandarët serbë, por edhe më tej nuk ka detaje të sakta për atë se çfarë ka ndodhur dhe ku ka ndodhur, meqë siç tha zëvendës-drejtori, është vështirë në këtë moment të dihet se në territorin e kujt ka ngjarë ky arrestim e plagosje./gazetametro.net

TË FUNDIT

TË FUNDIT