Policia e Kosovës ka sekuestruar rreth 136 kilogramë marihuanë në autostradën “Arbën Xhaferi”, në afërsi të daljes Doganaj-Kaçanik, ndërsa tre persona janë ndaluar lidhur me rastin.
Një person tjetër i dyshuar ndodhet në arrati, ndërsa dyshohet edhe për përfshirjen e një zyrtari policor në këtë rast.
Operacioni është realizuar të premten, më 27 nëntor 2026, nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, në kuadër të planit taktik të koduar “Kufiri 2”.
Sipas njoftimit të Policisë, tre personat e dyshuar janë ndaluar për 48 orë, me vendim të Prokurorit të Shtetit, nën dyshimin për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Ndërkohë, Policia ka bërë të ditur se një person tjetër i dyshuar për përfshirje në këtë rast është në arrati. Po ashtu, ekzistojnë dyshime për përfshirjen e një zyrtari policor, ndaj të cilit janë duke u zhvilluar veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale.
Sipas informacioneve fillestare të siguruara gjatë hetimeve, të dyshuarit janë shtetas të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Ata dyshohet se kishin për qëllim transportimin, shitjen dhe shpërndarjen e marihuanës, e cila dyshohet se ishte nisur nga Shqipëria, përmes territorit të Kosovës, drejt Maqedonisë së Veriut, me destinacion përfundimtar Turqinë.




