Njësitë e Veçanta të Policisë së Kosovës, të cilat çdo ditë janë në vijën e parë të mbrojtjes së sovranitetit dhe luftës kundër krimit në gjithë vendin, veçanërisht në veri, janë përballur dje me një zhgënjim të madh.
Pavarësisht dhjetëra e qindra orëve shtesë të punuara, zyrtarët policorë nuk i kanë marrë pagesat për punën jashtë orarit në pagën e fundit.
Përveç Policisë së Kosovës, edhe një numër i ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) janë përballur me situatën e njëjtë për mospagesën e shtesave në pagën e marrë dje.
Sipas rregullores në fuqi, këto pagesa janë obligative dhe duhet të ekzekutohen në mënyrë të rregullt, raporton Gazeta Sinjali.
Ky zhvillim ka shkaktuar pakënaqësi të thella në radhët e policëve të Kosovës dhe ushtarëve të FSK-së, të cilët shpesh angazhohen përtej orarit të zakonshëm në operacione të ndryshme për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve.
Në kushte anonimiteti, një pjesëtar i Njësisë për Reagim të Shpejtë (NjRSh) ka shprehur për Gazetën Sinjali shqetësimin për këtë situatë, duke theksuar se përkundër angazhimit të jashtëzakonshëm, shtesat nuk janë ekzekutuar.
“Jam në njësinë speciale për reagim të shpejtë dhe kam punuar shumë pas orarit për shkak të rasteve dhe numrit të vogël të policëve. Kur doli sot paga, e kemi parë se nuk janë ekzekutuar shtesat, pra paga e orëve shtesë. Nuk po e kuptoj pse me ndodh kjo, sidomos që është Bajrami të dielën”, tha ai për Gazetën Sinjali.
“Pagesa e orëve shtesë nuk është ndonjë privilegj, por një e drejtë e jona e garantuar me rregullore. Fatkeqësisht, sot u ballafaquam me një padrejtësi që po përsëritet”, tha një ushtar i FSK-së në kushte anonimiteti për Gazetën Sinjali.
Çka tha ministria e Financave?
Ministria e Financave, ka reaguar në lidhje me mospagesat e orëve shtesë për policët, duke mohuar përgjegjësinë rreth kësaj situate, e duke deklaruar se përgjegjësia mbi përgatitjen e listave të pagave dhe sigurimin se shuma e urdhëruar për pagesë është brenda kufijve buxhetorë i takon secilës organizatë buxhetore përkatëse.
Nga ministria është thënë se Thesari vetëm sigurohet që shuma është në përputhje me ndarjen buxhetore, dhe e bën procesimin e pagesës nëpër llogari individuale.
‘‘U takon organizatave buxhetore përkatëse që të planifikojnë buxhetin vjetor nëpër muaj, dhe të sigurohen se kanë buxhetin e mjaftueshëm kur miratojnë shtesa tjera mbi pagën bazë’’, thuhet mes tjerash në reagimin e ministrisë.
Tutje, nga kjo ministri është thënë se tejkalim i ndarjes buxhetore proporcionale mujore, mund të rezultojë në situata ku bëhet i pamundur ekzekutimi i plotë.