Pika kufitare midis Kosovës dhe Serbisë, në Merdare, po vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullim.
Kështu është bërë e ditur në të dhënat e publikuara nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.
Mbrëmjen e 27 dhjetorit, ministria e jashtme teksa bëri të ditur se “grupet kriminale serbe” bllokuan kufirin në Merdare, ftoi të gjithë qytetarët e Kosovës dhe ata të diasporës që të shfrytëzojnë pika të tjera kufitare për të arritur në Kosovë.
Për shkak të barrikadave të vendosura nga serbët lokalë, që nga 10 dhjetori janë mbyllur përkohësisht edhe dy pika të tjera kufitare me Serbinë, atë në Jarinjë dhe Bërnjak.
Bllokimi i rrugëve në veri të Kosovës ka hyrë në ditën e 19.
Që nga e shtuna e 10 dhjetorit, serbët lokalë kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, për të cilin autoritetet në Kosovë thonë se ka organizuar sulmet ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Forcat e policisë së Kosovës vazhdojnë të jenë të dislokuara në veri.
Që nga 6 dhjetori, në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë shënuar disa incidente të armatosura.
Sulme ka pasur edhe ndaj Policisë së Kosovës.
Ndërkaq, të martën e 27 dhjetorit, Policia e Kosovës ka konfirmuar se është vendosur një barrikadë e re në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut dhe një në Zveçan te vendi i njohur si Kërshi i Dudës.