Drejtori i Korporatës “Sfidat e Mijëvjeçarit” për Kosovë, Petrit Selimi, po pret që t’i kërkojë falje ambasadori gjerman, Christian Heldt, pasi ka ironizuar me një postim të tij në Twitter.
Selimi kishte shkruar në Twitter se Gjermania do të rrisë edhe më shumë numrin e lejeve të punës për Ballkan duke u bazuar në një shkrim të Al Jazeera Ballkans, njofton Klan Kosova. “Është gjithmonë kënaqësi të mësoj për vendin tim, unë nuk i kam këto informacione. Por, ju me siguri se keni burime më të mira për Gjermaninë sesa që kam unë”, ka shkruar me ironi Heldt.
Por, Selimi thotë se ai duhet të reagojë ndaj shkrimit të Al Jazeera Ballkans nëse ky medium ka gënjyer. “Nëse Heldt mendon se Al Jazeera Ballkans po gënjen, ai mund të reagojë ndaj këtij mediumi dhe të mos më dërgojë një përgjigje fyese dhe cinike të padenjë për një diplomat. Po citoja qartë një burim të tretë. Po pres kërkimfalje”.