Në Akademinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë u diplomuan këtë të martë, më 29 korrik, 90 studentë, mes tyre edhe pesë nga Kosova, raporton Gazeta Sinjali.
Ceremonia u zhvillua në kompleksin e ri sportiv të garnizonit “Skënderbej” në Tiranë, me pjesëmarrjen e ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu.
“Më lejoni të them që është një nder i veçantë që të jem pranë jush sot, sepse është një moment i thellë krenarie institucionale, sepse sa herë një brez vesh uniformën, shteti shqiptar rifillon, forcohet, përtërihet. Kjo nuk është thjesht një ditë gëzimi, por një ditë dëshmie se rruga e duhur sado e vështirë mbetet rruga që formon njerëz të vërtetë”, u shpreh ministri Vengu.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, i cili falënderoi homologun e tij për mikpritjen dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional mes dy vendeve.