Kuvendi i Kosovës ka përzgjedhur sot disa nga anëtarët jo-ekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës. Por për shkak të mungesës së kuorumit për të vazhduar me procesin e votimit, kjo seancë do të vazhdojë javën e ardhshme.
Nga paneli përzgjedhës i Bankës Qendrore të Kosovës janë propozuar dy lista me shtatë kandidatë për dy pozita, si dhe një listë me pesë kandidatë për një pozitë.
Nga lista me pesë kandidatë për një pozitë, kandidatë kanë qenë Bedri Peci i cili mori 12 vota, Butë Dedaj me 11 vota, Kosovare Ukshini me dy vota, Mimoza Mustafa me pesë vota si dhe Bashkim Nurboja i cili mblodhi vota të mjaftueshme për këtë pozitë, gjithsej 51 vota.
Për këtë pikë në votim kanë marrë pjesë 86 deputetë dhe nga 86 fletëvotime, të pavlefshme kanë dalë pesë.
Ndërsa, nga lista për dy anëtarë jo-ekzekutivë të BQK-së, kandidatë kanë qenë Behgjet Brajshori i cili mblodhi 11 vota, Driton Balaj me 15 vota, Edona Perjuci-Uka 10 vota, Imrie Zeqiri 15 vota, Nora Latifi-Jashari me 45 vota, Nuhi Ahmeti me 18 vota dhe Petrit Gashi me tetë vota.
Nora Latifi-Jashari kaloi në raundin e parë, ndërkaq për raundin e dytë kanë mbetur të garojnë Driton Balaj kundër Imrie Zeqirit. Pasi njëri nga ta të eliminohet, fituesi do të garojë kundër Nuhi Ahmetit.
Por për shkak të mungesës së kuorumit kjo përzgjedhje e anëtarëve jo ekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës shtyhet për javën e ardhshme.




