Ministria e Ekonomisë nuk ka përmbushur zotimin që brenda 3 vjetëve kapaciteti i burimeve të ripërtëritshme të arrijë në 500 megavatë. Projektet e paralajmëruara me bujë janë ende në faza tenderimi apo parakualifikimi, ndërsa në terren pothuajse nuk ka asnjë kapacitet të ri që i është shtuar sistemit energjetik
“Brenda tre vjetësh do të arrihet kapacitet deri në 500 megavatë i energjisë së ripërtëritshme, duke i shtuar kapacitetet e energjisë diellore”.
Pothuajse asnjë megavat nuk i është shtuar sistemit energjetik që kur ministrja Artane Rizvanolli e ka dhënë këtë deklaratë më 7 qershor 2022.
Sistemit nuk iu shtuan as dy projektet për ndërtimin e parqeve solare me kapacitete nga 100 megavatë që Qeveria Kurti 2 i proklamoi zëshëm.
Sipas të dhënave të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Kosova aktualisht prodhon vetëm 280 megavatë nga energjia e ripërtëritshme.
E në Ministrinë e Ekonomisë thonë se në periudhën 2021 – 2025, kapacitetet e instaluara të Burimeve të Ripërtëritshme janë afër 134 megavatë. Aty përfshihet projekti i ndërtimit të parkut solar në Bajgorë me kapacitet prej 105 megavatësh, që i përket vitit 2021, e po ashtu edhe projekti prej 1.2 megavatësh nga biomasa.
“Kapaciteti i instaluar i BRE-ve që kanë hyrë në operim gjatë periudhës 2021-2025 ka qenë 133.89 MW. Nga ky kapacitet, 103.41 MË kanë qenë turbina të erës, 4 MË sisteme fotovoltaike, 25.28 MW hidrocentrale dhe 1.2 MW nga biomasa. Po ashtu ka filluar projekti për 100 MW solare, 100 MW nga Era dhe 100 MW solare nga projekti solar i KEK-ut, Solar4Kosovo”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Ekonomisë.
Por, në këtë dikaster nuk janë përgjigjur pse nuk është përmbushur zotimi i ministres Rizvanolli, që kapacitetet nga burimet e ripërtritshme të arrijnë në 500 megavat brenda tre vjetëve.
E me këtë ritëm, Kosova është larg përmbushjes së objektivave të Strategjisë për Energji 2022-2031, në të cilën parashihet që brenda 9 vjetësh kapaciteti i përgjithshëm i instaluar i energjisë së ripërtëritshme të arrijë në 1,600 megavatë.
“Zhvillimi i kapaciteteve të reja nga BRE-të, 600 MW erë, 600 MW fotovoltaike, 20 MË biomasë dhe të paktën 100 MË kapacitet nga konsumatorët vetë-prodhues, për të arritur një kapacitet të përgjithshëm të instaluar të BRE-ve prej 1600 MW deri në vitin 2031”, thuhet në Strategjinë për Energji.
Për të përmbushur këtë objektiv, sipas ekspertit të energjisë Adhurim Haxhimusa do të duhej që brenda vitit të shtoheshin rreth 250 megavatë energji nga burimet e ripërtëritshme.
“Në bazë të së kaluarës vërejmë në letargji institucionale dhe se vështirë se do të arrihen këto qëllime. Mirëpo presim dhe shpresojmë që institucionet të reflektojnë dhe të marrin hapat e nevojshëm që t’i implementojnë reformat e nevojshme dhe për të dizajnuar tregun në atë formë që jep nxitjet e nevojshme për t’i sjellë këto investime dhe këto kapacitete deri në 2032-tën”, është shprehru Haxhimusa.
Në maj 2023, Qeveria e pati hapur ankandin e parë për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 megavatësh. Por, projekti që është paraparë të ndërtohet në Kramovik të Rahovecit, aktualisht është në fazën e kontraktimit të kompanisë për Inxhinieri, Prokurim dhe Ndërtim të centralit solar.
E projekti solar i KEK-ut, “Solar4Kosovo” është ende në fazën e parakualifikimit në kuadër të procesit tenderues. Ky projekt parasheh kapacitet prej 100 megavatësh energji nga dielli.
Në fund të dhjetorit 2025, Ministria e Ekonomisë përfundoi fazën e parakualifikimit nga ankandi i parë i energjisë nga era, përmes të cilit pritet ndërtimi i parkut me erë me kapacitet prej 100 megavatësh energji./koha.net




