13.3 C
Mitrovice
E diel, 24 Gusht, 2025
spot_imgspot_img

Pentagoni ia tërheq vërejtjen Serbisë në lidhje me bashkëpunimin me Rusinë

Zyrtarja e lartë e Pentagonit, Laura Cooper, ka kritikuar qëndrimin e Serbisë për të mos iu bashkuar sanksioneve amerikane dhe evropiane kundër Rusisë, siç kanë bërë shumica e vendeve të rajonit.

Cooper, e cila ushtron detyrën e zëvendës-ndihmëses sekretare amerikane të Mbrojtjes për Rusinë, Ukrainën dhe Euro-Azinë, në një intervistë për Zërin e Amerikës u shpreh se nuk është në interesin e Serbisë të bashkëpunojë me një ushtri që masakron një popullatë.

“Nuk është në interesin e Serbisë të bashkëpunojë me një ushtri që masakron një popullatë, një ushtri që bombardon civilët. Dhe sinqerisht, nuk është në interesin e Serbisë të ketë partneritet me një ushtri që po vuan pasoja kaq të qarta në fushën e betejës, me një moral kaq të ulët, një ushtri ku udhëheqësit nuk u besojnë ushtarëve të tyre”, tha ajo.


Deklarata e Cooper vjen një ditë para zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, në të cilat besohet se fituesi më i madh i zgjedhjeve do të jetë prapë presidenti Aleksandar Vuçiq.

Serbia disa herë ritheksoi qëndrimin e saj se nuk do të vendos sanksione kundër Kremlinit, anise ndryshoi tonet kur votoi në Kombet e Bashkuara një rezolutë që dënon pushtimin e Ukrainës.

Nga konkluzat që dolën nga mbledhja e Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Serbisë, lidhur me krizën në Ukrainë, Serbia u tha se i jep mbështetje të plotë integritetit territorial të Ukrainës dhe se e konsideron të gabuar shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës.

Por, në konkluza, operacionet ruse nuk u quajtën pushtim i Ukrainës, gjë e cila është qëndrim i vendeve evropiane.

Në përgjigje të sanksioneve perëndimore për shkak të luftës në Ukrainë, presidenti rus Vladimir Putin tha se Rusia do të fillojë t’u shesë gaz vendeve “jomiqësore” në rubla.

Megjithatë ky regjim ekonomik nuk do të zbatohet për Serbinë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq fillimisht tha se pagesa e gazit rus në rubla do të përbënte problem. Ky shqetësim i Serbisë menjëherë mori përgjigje pozitive në Kremlin.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov deklaroi se Moska do të përpiqet të zgjidhë situatën e Serbisë për të mos e paguar gazin rus në rubla.

Vuçiq, tha se i ishte mirënjohës zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, që u kujdes për problemet e mundshme të Beogradit me pagesën e gazit rus.

“E falënderoj Peskovin për këtë. Mediat ruse raportuan sapo thashë se problemi për ne është pagesa në rubla, për shkak të paqëndrueshmërisë së valutës. Shpresoj se do të arrijmë ta zgjidhim edhe këtë”, tha Vuçiq, më 24 mars, në Televizionin Pink.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në orët e para të 24 shkurtit. Shtetet perëndimore kanë dënuar veprimet e Rusisë dhe kanë vendosur sanksione ndaj Moskës.

Nga vendet e rajonit, Kosova, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia kanë dënuar sulmin rus ndaj Ukrainës.

Kosova i është bashkuar Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, duke vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Ndërkaq, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina janë të vetmet që nuk e kanë dënuar agresionin rus. /Reporteri.net

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT