Ministri i Bujqësisë Faton Peci,, deklaroi se kundër qeverisë qenka duke u zhvilluar një luftë hibride, ndërsa veten e konsideron cak të shpeshtë të kësaj lufte.
Ai tha në emisionin CONTEXT në ATV se në disa raste të fundit, është ndjerë si një nga objektivat kryesorë të kësaj lufte.
“Unë mendoj që është duke u zhvillu një luftë hibride, do të thotë ndaj Qeverisë. Po në këtë rast, në shumë rastet e fundit, dy-tri herë jam ndoshta në top listën e qitjeve, edhe si rezultat i mënyrës se si po e kuptoj, po marr informacione dhe qysh po zhvillohen këto zhvillimet,” tha Peci.
Ministri tha se nuk ka ndërmend të dorëzohet, për shkak se e di që puna e tij ka qenë e ndershme dhe e pastër.
“Po e përsëris, në rast se dikush e ka kriju një projeksion të një lufte speciale kundër meje, edhe unë kam kundërvijë asaj lufte, për shkak se asnjëherë në jetë nuk jam dorëzu karshi sfidave, veç më tepër për shkak se e di punën time të ndershme dhe të pastër që e kam bo në këto katër vite,” u shpreh Peci.
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka eskaluar me fyerje dhe akuza ndaj gazetarëve dhe prokurorisë pas bastisjeve në ministrinë që drejton ai.
Prokuroria Speciale e Kosovës kishte njoftuar se me qëllim të verifikimit të pretendimeve apo dyshimeve për veprimet e disa zyrtarëve publikë të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, lidhur me renovimin e objektit që e shfrytëzonte AAK-ja, ka autorizuar Policinë e Kosovës, që të kryejë veprime hetimore në mbledhjen dhe sigurimin e provave për sqarimin e rrethanave të çështjes.
Mirëpo Peci në emisionin “Context” të ATV-së, ka kërcënuar me padi ndaj gazetares së KTV-së që raportoi për shpenzimin e 66 mijë eurove për largimin e mobilieve nga objekti ku më parë kishte qëndruar AAK-ja.