9.5 C
Mitrovice
E mërkurë, 5 Nëntor, 2025
spot_img

PDK pas mbledhjes së Kryesisë: Nuk japim votë për asnjë mandatar nga VV-ja, zgjedhjet zgjidhja e vetme

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të Kryesisë, ku është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend, rezultatet e arritura në raundin e parë të zgjedhjeve lokale dhe përgatitjet për balotazhin e 9 nëntorit.

Në njoftimin e partisë thuhet se PDK vlerëson që dhënia sërish e mandatit Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e qeverisë përbën humbje kohe, zvarritje të panevojshme dhe thellim të krizës institucionale, pasi tashmë është e qartë që asnjë subjekt nuk e ka shumicën për të formuar qeverinë nga kjo legjislaturë.

“PDK nuk do të japë votë për asnjë mandatar nga LVV, ndërsa mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme është zgjidhja e vetme për tejkalimin e këtij ngërçi,” thuhet në komunikatë. “Vetëm përmes zgjedhjeve të reja qytetarët do të mund ta vendosin drejtimin e ardhshëm të vendit dhe t’u japin legjitimitet institucioneve të reja.”

Sipas PDK-së, kriza e stërzgjatur gjatë këtij viti, e shkaktuar nga Lëvizja Vetëvendosje, ka sjellë pasoja serioze në çdo sektor, ndërsa rreziku që buxheti i shtetit të mos kalojë me kohë dhe qytetarët të mbeten pa paga vitin e ardhshëm, e bën të domosdoshëm përshpejtimin e procesit drejt zgjedhjeve të reja.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në mbledhje ka shprehur mirënjohje për angazhimin e anëtarëve dhe përkrahësve të partisë, duke theksuar se PDK është rikthyer në vendin e parë pas 12 vitesh sa i përket votës popullore në zgjedhjet lokale.
Sipas rezultateve të partisë, PDK ka marrë 187.526 vota, ka siguruar gjithsej 206 ulëse në kuvendet komunale dhe ka lënë prapa subjektet e tjera politike.

Në zgjedhjet lokale, PDK ka fituar në tri komuna – Ferizaj, Skënderaj dhe Han i Elezit – që në raundin e parë, ndërsa është renditur e dyta për nga numri total i votave për kandidatët për kryetarë komunash.

Krasniqi ka kërkuar nga kryesia vazhdimin e angazhimit dhe mobilizimit për fitore në komunat ku PDK është në garë në balotazh: Mitrovicë, Prizren, Vushtrri, Kaçanik, Klinë dhe Dragash.

TË FUNDIT

TË FUNDIT