Pasi fitoi të gjithë trofetë e edicionit të kaluar dhe fitoi Superkupën këtë edicion, Trepça synon atë që nuk e ka arritur asnjë skuadër kosovare e basketbollit – suksesin në Ligën e Kampionëve.
Ende asnjë skuadër kosovare nuk ka kaluar kundërshtar në Champions, ndërsa arritja në stinorin e rregullt nuk ishte afër.
Trepça do të provojë të arrijë në stinorin e rregullt, ndonëse rrugën e ka të vështirë. Në Belek të Turqisë, Trepça paraqitet në turneun e 2-të të raundit kualifikues të Championsit. Turnetë kualifikues përbëhen nga çerekfinalja, gjysmëfinalja dhe finalja. Vetëm fituesi i turneut kualifikohet në stinorin e rregullt. Janë katër turne në të cilët 24 skuadra garojnë për katër bileta.
Trepça ndeshjen e parë e ka të mërkurën në mesditë. Në Belek të Turqisë, skuadra mitrovicase përballet me Keravnosin qipriot. Nëse fiton, të premten luan në gjysmëfinale me skuadrën çeke ERA Nymburk. Në çerekfinalen tjetër të turneut të dytë përballen Kutaisi i Gjeorgjisë me Levicen e Sllovakisë. Fituesi i kësaj ndeshjeje luan ndaj Kalevit të Estonisë në gjysmëfinale. Finalja është të dielën.
Nëse eliminohet në çerekfinale, në gjysmëfinale apo mposhtet në finale, Trepça vazhdon garimin në FIBA Europe Cup, që është nivel më i ulët i garave evropiane për klube të basketbollit. Nëse fiton turneun do të arrinte sukses historik.
“Xehetarët” për herë të parë garojnë në Champions. Dy herë janë paraqitur në FIBA Europe Cup, kurse edicionin e kaluar arritën në fazën grupore.
Keravnosi qipriot, për dallim nga Trepça, ka përvojë në Champions. Madje në edicionin 2020/2021 ishte kualifikuar në stinorin e rregullt.
FIBA ka shkruar se ERA Nymburk është favorit i madh për ta fituar turneun e dytë. Kjo skuadër çeke arriti në çerekfinale të Ligës së Kampionëve në vitin 2020 e po ashtu në vitin 2021.
Ky është edicioni i nëntë i Ligës së Kampionëve në basketboll.
Skuadrat kosovare janë pjesë e kësaj gare prej edicionit 2017/18. Sigal Prishtina ishte paraqitur tre vjet rresht, por ishte ndalur në raundin e parë kualifikues.
Dy vjet skuadrat kosovare munguan në Champions, ndërsa Golden Eagle Ylli u eliminua nga Benfica në edicionin 2022/2023.
Në çerekfinale të fazës kualifikuese vjet u ndal Peja. Ajo pësoi nga skuadra daneze Bakken Bears me rezultat të thellë, 103:79.
Skuadra mitrovicase të hënën udhëtoi për në Turqi. Trajneri Adis Beqiragiq ka kompletuar me kohë skuadrën, ndërsa lojtarët e huaj po vlerësohen edhe më cilësorë se ata të edicionit të kaluar. Mitrovicasit kanë udhëtuar të motivuar për në Turqi.
“Skuadra jonë është shumë e motivuar për këtë paraqitje historike”, ka shkruar Trepça.
Trepça në edicionin e kaluar fitoi titullin e kampionit të Kosovës, Kupën e Kosovës, Superkupën dhe turneun e Ligës Unike. Edhe edicionin 2024/2025 e nisi me trofe. Por sfidat e vërteta do t’i ketë prej të mërkurës në Champions.
Autor: Arsim Maxhera / Koha.net