Trepça është zgjedhur ekipi më i mirë i vitit nga Federata e Basketbollit të Kosovës.
Ky çmim për Trepçën vjen pas një sezoni spektakolar dhe dominimin absolut që pati, pasi është shpallur kampione e Kosovës, fitoi Superkupën e Kupën shtetërore si dhe triumfoi në Ligën Unike.
Epitetin e kampiones së Kosovës, Trepça e arriti pas përballjes dramatike që pati me Golden Eagle Yllin në majin e këtij viti, ku pas pesë ndeshjeve, duelin e fundit e fitoi me rezultat 67:66, njofton Klankosova.tv.
Kjo ishte hera e parë që nga viti 2012, që “Minatorët” u shpallën kampionë.
Ndërkohë trofeun e dytë për nga rëndësia, “Torcida” e arriti duke mposhtur Sigal Prishtinën me veç dy pikë epërsi, 71:69, në finalen e Kupës së Kosovës që u zhvillua në Gjakovë.
Kundërshtarin e njejtë, Trepça e mundi edhe në Superkupë, ku në palestren “Sezair Surroi” në Prizren, në shtator të këtij viti, triumfoi ndaj kryeqytetasëve me rezultat 89-73 , raporton Klankosova.tv.
Klubi mitrovicas, “sefte” ia bëri edhe një titulli tjetër, atë të Ligës Unike, pasi në sekondat e fundit e mposhti Golden Eagle Yllin në finale, me rezultat 67:66, në turneun që u zhvillua në Vlorë të Shqipërisë.