Përpjekjeve të Britanisë së Madhe për ta stabilizuar situatën në veri të Kosovës, pas sulmit terrorist që ngriti tensionet që nga e diela, pritet t’u bashkohet edhe Rumania. Si aleat i NATO-s, ata kanë paralajmëruar dërgimin e trupave të tyre ushtarake në Kosovë.
Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë ka njoftuar se vendimi për transferimin e trupave të saj ushtarake pritet të merret “në një të ardhme të afërt”, dhe se bëhet fjalë për një njësi të vogël, shkruan Reporteri.net.
“Pas autorizimit të dhënë nga Këshilli i Atlantikut të Veriut në lidhje me shtimin e forcave për të menaxhuar situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor, Rumania do të vendosë, në të ardhmen e afërt, një njësi të vogël në nivel kompanie, si pjesë e rezervës strategjike të vendosur në dispozicion të SACEUR-it, në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë. Rumania, si një aleat i NATO-s dhe vend anëtar i BE-së, ka marrë përsipër angazhimin për të kontribuar me forca dhe pajisje ushtarake në përpjekjen për të ruajtur një mjedis të qëndrueshëm të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në deklaratën e Ministrisë.
Rumania aktualisht numëron 330 ushtarë të dislokuar në Ballkanin Perëndimor, ku rreth 80 prej tyre aktualisht ndodhen në Kosovë, dhe afërsisht 250 në Bosnje dhe Herzegovinë.
Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe njoftoi të mërkurën e 27 shtatorit se e ka transferuar komandën e një batalioni të ushtrisë në NATO, në mënyrë që të ofrojë mbështetje shtesë për Kosovën, nëse kjo gjë kërkohet.
Mundësinë e dërgimit të trupave të saj në kufirin Kosovë-Serbi nuk e ka përjashtuar as Gjermania.
Të dielën në fshatin Banjskë të Zveçanit, një grup i armatosur e uniformuar serbësh vrau policin Afrim Bunjaku. Në aksionin pasues, në këtë fshat, u vranë tre sulmues. Janë arrestuar tetë persona e katër prej tyre janë liruar. Përgjegjësinë për sulmin mbi Kosovën e ka marrë Milan Radoiçiq, tashmë ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
Perëndimi ka dënuar agresionin, ndërsa Serbia i ka shpallur heronj tre sulmuesit e vrarë.
Të premten, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar masa ndaj Serbisë teksa i kanë kërkuar që t’i tërheqë trupat ushtarake nga afërsia me Kosovën.
Ndonëse Presidenti serb Aleksandar Vuçiq thotë se tërheqja e trupave është bërë, një gjë e tillë nuk është konfirmuar ende as nga institucionet e sigurisë të Kosovës dhe as nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Reporteri.net/.