Paralajmërimet për një rritje të mundshme të çmimit të energjisë elektrike kanë rikthyer në fokus shqetësimet e qytetarëve dhe bizneseve, në një periudhë kur kostoja e jetesës po vazhdon të rritet.
Rritja e mundshme e çmimit të rrymës vjen në një kohë kur qytetarët tashmë po përballen me shtrenjtim të produkteve bazë e shërbimeve, çka pritet të rëndojë edhe më tej buxhetet familjare.
Ekspertët paralajmërojnë se çdo rritje e energjisë elektrike mund të ketë efekt zinxhir edhe në çmime të tjera, duke ndikuar drejtpërdrejt në standardin e jetesës.
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në një përgjigje për Front Online ka sqaruar se procesi i shqyrtimit të tarifave të energjisë elektrike zhvillohet në disa faza rregullative dhe në përputhje me kornizën ligjore në fuqi, duke theksuar se në këtë fazë nuk mund të paragjykohet nëse do të ketë rritje të çmimit të rrymës.
Sipas ZRRE-së, aplikimet për të hyrat e lejuara nga operatorët dhe furnizuesit e licencuar pritet të dorëzohen gjatë javës së tretë të muajit janar 2026. Pas kësaj, rregullatori do të nisë procesin e shqyrtimit dhe vlerësimit rregullativ të aplikimeve.
“Vendimi përfundimtar për tarifat pritet të merret gjatë muajit mars 2026, ndërsa zbatimi i tarifave, nëse aprovohen, do të fillojë nga muaji prill 2026’’, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së për Front Online.
Nga ZRRE-ja thonë se në këtë fazë të procesit nuk mund të përcaktohet nëse tarifat do të rriten, do të ulen apo do të mbesin të pandryshuara, pasi kjo do të varet nga rezultatet e shqyrtimit rregullativ të aplikimeve dhe nga kostot e justifikuara të paraqitura nga operatorët.
Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, në një prononcim për Front Online ka paralajmëruar se rritja e çmimit të energjisë elektrike është tashmë e paraparë nga institucionet përgjegjëse dhe pritet të ndodhë në pranverën e ardhshme.
Sipas Shalës, të dhënat zyrtare të publikuara deri më tani nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), por edhe nga instanca të tjera relevante, tregojnë qartë se çmimi i energjisë do të jetë i lëvizshëm dhe do të shënojë ngritje.
“Është e vërtetë që me të gjitha të dhënat që tani janë zyrtare, si nga ZRRE-ja ashtu edhe nga instanca të tjera, çmimi i energjisë elektrike është paraparë nga qeveria që në pranverën e ardhshme të jetë i lëvizshëm dhe të ketë ngritje’’, ka deklaruar Shala.
Ai ka theksuar se një rritje e tillë do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë negativ në ekonominë e vendit, duke goditur veçanërisht prodhimin vendor dhe buxhetet familjare.
“Kjo do të ndikojë negativisht në prodhimin vendor, por do ta rëndojë shumë edhe ekonominë familjare ka shtuar’’, ka thënë ai.
Deputetja e zgjedhur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Janina Ymeri, në një prononcim për FrontOnline ka vlerësuar se rritja e çmimit të energjisë elektrike është rezultat i një strategjie të gabuar dhe jo përgjegjëse energjetike, e ndjekur nga pushteti aktual gjatë pesë viteve të fundit.
‘’Rritja e çmimit të energjisë nuk është thjesht Importi si shkak por pasojë e një strategjie të gabuar dhe jo përgjegjëse energjetike që nuk ka qenë në funksion të interesit kombëtar’’, tha Ymeri për Front Online.
Sipas Ymerit, pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme, institucionet nuk kanë ndërmarrë hapa konkretë për rritjen e kapaciteteve të prodhimit vendor, nuk kanë mbështetur mjaftueshëm burimet e qëndrueshme dhe të ripërtëritshme të energjisë, ndërsa kanë lidhur kontrata që e kanë mbajtur Kosovën të varur nga importi në periudha kritike.
‘’Pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme, nuk është rritur kapaciteti i prodhimit vendor, nuk janë përkrahur mjaftueshëm burimet e qëndrueshme, dhe janë bërë kontrata që e kanë mbajtur Kosovën të varur nga importi në periudha kritike’’, deklaroi Ymeri.
Kjo, sipas Ymerit, ka sjellë mungesë të qëndrueshmërisë energjetike dhe rritje të vazhdueshme të çmimeve. Ajo ka thënë se rritja e çmimit të energjisë nuk ndikon vetëm në faturat mujore të familjeve, por ka një efekt zinxhir në të gjithë ekonominë e vendit.
‘’Kjo është arsyeja pse, në vend të qëndrueshmërisë, po përballemi me çmime gjithnjë e më të larta dhe të paparashikueshme. Rritja e çmimit të energjisë është një goditje zinxhirore, jo vetëm për faturën që paguan familja në fund të muajit, por për çdo produkt dhe shërbim në treg sidomos të prodhuara e përpunuara në Kosovë’’, tha ajo për Front Online.
Ymeri ka thënë se më të prekurit nga kjo situatë janë qytetarët me të ardhura të ulëta, familjet që përfitojnë ndihmë sociale, të moshuarit dhe të papunët.
‘’Preken të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë, por më së shumti ata me të ardhura të ulëta, familjet me ndihmë sociale, të moshuarit, dhe të papunët. Varfëria energjetike ka qenë prezente prej kohësh, por kjo rritje do ta thellojë më tej ndarjen mes atyre që mund t’ia lejojnë vetes ngrohjen dhe atyre që do të detyrohen të zgjedhin mes bukës dhe faturës ‘’, tha Imeri.
Ymeri ka thënë se kjo situatë ka mundur të shmangej dhe se përgjegjësia kryesore bie mbi qeverisjen aktuale, e cila, sipas saj, për vite me radhë ka favorizuar tregtinë e energjisë elektrike në vend të interesit të qytetarëve të Kosovës
Eksperti i energjetikës, Vezir Rexhepi, në një prononcim për Front Online ka paralajmëruar se një rritje e mundshme e çmimit të energjisë elektrike do të kishte pasoja të drejtpërdrejta dhe të rënda për qytetarët, veçanërisht duke pasur parasysh rritjen e fundit të tarifave të rrymës.
Sipas Rexhepit, rritja e fundit e çmimit të energjisë prej 16.1 për qind tashmë ka rënduar buxhetet familjare, ndërsa çdo shtrenjtim shtesë do të përkeqësonte edhe më tej gjendjen ekonomike të qytetarëve.
“Duke pasur parasysh edhe rritjen e fundit të çmimit të rrymës prej 16.1 për qind, atëherë, bazuar edhe në aspektet e tjera ekonomike dhe në zinxhirin ekonomik, mendoj se një rritje e mundshme do të ndikonte shumë dhe do ta godiste qytetarin drejtpërdrejt’’, ka deklaruar Rexhepi për Front Online.
Ai ka theksuar se vendimmarrja për çmimin e energjisë duhet të rishikohet me kujdes, duke marrë parasysh edhe nivelin e inflacionit dhe gjendjen e përgjithshme ekonomike.
“Mendoj se kjo çështje duhet të vlerësohet dhe rishikohet mirë, sepse përndryshe një rritje e mundshme do të ishte shumë e dëmshme dhe do ta godiste rëndë qytetarin’’, ka shtuar eksperti i energjetikës.






