Misioni paqeruajtës i NATO’s në Kosovë, KFOR, është deklaruar lidhur me ndërtimin e dy urave të reja përreth asaj kryesores së lumit Ibër, që të dyja projekte komunale.
Në një përgjigje për media, KFOR ka thënë se kjo çështje është jashtë kompetencës së tyre.
“Përsa i përket pyetjeve tuaja, çështja që keni ngritur është jashtë përgjegjësive të KFOR-it. Prandaj, ju referojmë te institucionet përkatëse për çdo koment”, thuhet në përgjigjen e tyre.
“KFOR-i mban një prani të përhershme në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth për të siguruar një ambient të sigurt dhe të qetë. KFOR-i gjithashtu mban një prani të dukshme dhe fleksibile në Mitrovicën e Veriut, si dhe në gjithë Kosovën, dhe është i gatshëm të reagojë ndaj çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë në të mirë të të gjitha komuniteteve në Kosovë”, vijon përgjigja e KFOR.