Një ngjarje sikur në filma, persona të maskuar e të veshur me ngjyrë të zezë, me kallashnikov e pushkë gjuetie, të cilët tentojnë të kryejnë një grabitje në një argjendari, ka ndodhur më 15 nëntor në Prizren.
Pasi kishin tentuar të grabisnin argjendarinë tre persona ishin larguar nga vendi i ngjarjes. Pas vetes kishin lënë të plagosur dy persona me armët të cilat posedonin. Vendi i ngjarjes ishte rrethuar nga policia ndërsa kishte dalë edhe kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala.
Të dyshuarit pasi ishin larguar nga vendi i ngjarjes ishin nisur drejt Suharekës për të përfunduar më pas në autostradë.
Para se të hynin në autostradë ata kishin ndaluar, kishin grabitur një veturë të një kalimtari e më pas ishin nisur drejt një pompe të derivateve.
Atje të njëjtit sërish nën kërcënimin e armëve grabisin bidonë me benzinë dhe kthehen në vendin ku kishin parkuar veturën me ngjyrë të zezë me xhama të errësuar.
Të njëjtës veturë i vënë flakën e më pas me veturën tjetër të grabitur me ngjyrë të kuqe nisen drejt autostradës.
KALLXO.com në emisionin e sotëm sjell pamje të grabitjes që të dyshuarit e kanë kryer në pompën e derivateve.
Në pamje shihen se të dyshuarit janë të pajisur edhe me jelekë antiplumb ndërsa në duar mbajnë armët e gjata automatike.
Nën kërcënimin e armëve detyrojnë pronarin e një pompe të derivateve të mbushin një bidon me benzinë të cilën më pas e përdorin për të djegur veturën. /Reporteri



