Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla pak më parë ka njoftuar se Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion kundër drogës në veri të vendit, shkruan Sinjali.
Sveçla publikoi edhe pamje nga ky aksion, gjatë të cilit janë zbuluar 30 kilogramë drogë të llojit marihuanë.
“Sot u shënua edhe nje sukses i Policisë së Kosovës. Gjatë aksionit të Policisë së Kosovës zbulohet edhe nje laborator droge në veriun e Mitrovicës dhe mbi 30 kg lëndë narkotike marihuanë teksa dy të dyshuar shtetas të Kosovës me etni serbe janë arrestuar.Ky është aksioni i dytë i suksesshëm i Policisë në veriun e vendit vetëm brenda kësaj jave pas atij për bllokimin e rrugëve të kontrabandës. Ashtu siç jemi zotuar se do të luftojmë kriminalitetin në çdo cep të Republikës do të vazhdojmë pa pushim, pa kompromis. Vendi ynë do të bëhet vend i qetë dhe i sigurt për gjithë qytetarët e saj”, ka shkruar Sveçla.
/GazetaSinjali/