5.3 C
Mitrovice
E enjte, 12 Shkurt, 2026

Pagë mesatare mbi 1 mijë euro në sektorin publik e dyfishim të shtesave – zotimet e Kurtit për mandatin e ri

Albin Kurti e ka marrë dje mandatin e ri si Kryeministër i Kosovës. Ai ka bërë disa zotime për mandatin e ardhshëm, sidomos për ngritjen e të ardhurave të familjeve.

Ai ka deklaruar se gjatë mandatit të ri do të rris pagën mesatare në sektorin publik mbi 1 mijë euro, si dhe dyfishim të shtesave për fëmijë.

Gjatë paraqitjes së ekspozesë, Kurti tha se rritja do të vazhdojë në përputhje me rritjen e buxhetit dhe performancën ekonomike.

“Kjo rritje do të vazhdojë edhe mandatin që vjen në përputhje me rritjen e buxhetit dhe performancën ekonomike, duke ngritur pagën mesatare në sektorin publik mbi 1 mijë euro në muaj”, ka deklaruar Kurti.

Shtesat për fëmijë deklaroi se do të shkojnë në 90 euro, për çka tha se me këtë rritje Kosova do i lë prapa edhe disa vende të Bashkimit Evropian.

Premtoi edhe rritje të shtesave për nënat lehona.

“Shtesat për fëmijë janë sot 30-45 euro për fëmijë, ndërkaq mandatin e ardhshëm do t’i dyfishojmë ato. Pra nga zero sa i gjetëm në 45, dhe mandatin e radhës nga 45 në 90 euro për familjet me tre e më shumë fëmijë… Edhe shtesat për nënat e reja lehohnat do t’i rrisim nga 500 euro në muaj për gjashtë muaj”, deklaroi Kurti.

Përgjatë mandatit të kaluar, Kurti tha se si Qeveri kanë shtuar punësimin, me fokus rininë dhe gratë.

Ai bëri me dije se do të krijohet platforma “Superpuna” edhe për gratë.

“Kemi shtuar punësimin nga 350 mijë të punësuar në 430 mijë të punësuar, me fokus te rinia dhe gratë si dhe kemi arritur që të ardhurat e familjes të ngriten, duke rritur pagën minimale, pensionet, shtesat për fëmijë, por edhe pagat në sektorin publik, të cilat gjatë këtij mandati që po e përmbyllim tash kanë shënuar rritje mesatare prej 47%”, tha Kurti./Reporteri.net

TË FUNDIT

TË FUNDIT