16.7 C
Mitrovice
E enjte, 11 Shtator, 2025
spot_imgspot_img

Osmanit i lidhi mediat me Radojiçiqin, Prokuroria Speciale: Asnjë gazetar nuk është nën hetime, s’ka asnjë rast të hapur që përfshin gazetarët

Prokuroria Speciale ka qartësuar se asnjë gazetar nuk është nën hetim nga kjo prokurori dhe se nuk ka asnjë rast të hapur që përfshin gazetarët.

Deklarata e Prokurorisë vjen vetëm disa orë pasi Presidentja Vjosa Osmani akuzoi se ka gazetarë që merren me veprimtari të kundërligjshme, duke iu referuar informacioneve të sigurisë, e sot i lidhi edhe me kryeterroristin Milan Radojiçiq.

“… ju njoftojmë se asnjë gazetar nuk është nën hetim nga Prokuroria Speciale dhe nuk ka asnjë rast të hapur që përfshin gazetarët. Prokuroria Speciale vazhdon të veprojë në përputhje të plotë me ligjin, duke ruajtur pavarësinë, paanshmërinë dhe profesionalizmin në çdo rast”, ka deklaruar zëdhënësja e kësaj prokurorise, Arbnora Luta.

Osmanit i është kërkuar sot që të sqarojë nëse gazetarët janë hetuar nga Agjencia Kosovare për Inteligjencë për veprimtari të kundërligjshme.

“E para, nuk janë hetuar gazetarët, është hetuar dikush tjetër, janë hetuar Radoiçiqët”, tha Osmani, duke iu referuar kryeterroristit, Millan Radoiçiq.

Më pas përmendi edhe “planet për grusht shteti”.

“Nuk ka pasur nevojë të hetohen disa gazetarë. Ose, më qartësisht nuk dua të përmend termin gazetar sepse nuk dua të ju fus ju në thes me njerëz të tillë. Kur hetohen Radoiçiqët, dalin bashkëpunëtorët e tyre dhe natyrisht që institucionet tona të sigurisë e kanë detyrë shtetërore, detyrë morale, detyrë ligjore që të hetojnë deri në fund çdo bashkëpunim që ka rrezikuar Republikën e Kosovës, përfshirë planet për grusht shteti, përfshirë rrezikime të ndryshme që janë bërë e i bëhen Kosovës. Për këtë arsye ekzistojnë institucionet e sigurisë”, tha Osmani.

Ajo sërish nuk pranoi të tregonte emrat, duke thënë se mund të pengojë hetimet.

Në postimin e mbrëmshëm, Osmani shkroi se “disa të ashtuquajtur gazetarë (për ndonjë prej tyre do të shokoheshit se me çfarë veprimtarie të kundërligjshme merren, sipas institucioneve tona të sigurisë)…”.

Deklaratat e Osmanit u dënuan nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), që tha se këto “akuza dhe insinuata” të presidentes rrezikojnë sigurinë fizike të gazetarëve.

“AGK-ja e dënon ashpër retorikën akuzuese dhe nxitëse të presidentes Osmani gjatë konferencës për shtyp, pasi që ajo rrezikon direkt sigurinë fizike të gazetarëve. Osmani u është referuar sërish raporteve të AKI-së për të forcuar akuzat “për disa gazetarë”, për të cilat AGK mendon se vënë në pikëpyetje sigurinë juridike, jo vetëm të gazetarëve, por edhe të secilit qytetar të Kosovës”, u tha në reagim.

AGK-ja u bëri thirrje organeve të sigurisë që të deklarohen për këto akuza, që i cilësoi të rënda, dhe që tha se shërbejnë si “kërcënim i hapur ndaj gazetarëve, në përpjekje për të ndaluar punën e tyre për të bërë pyetje në interes të publikut”.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT