Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati.
Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit, diplomatja amerikane i përcolli Presidentes Osmani dhe Zotërisë së Parë urimet për Vitin e Ri nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe Zonja e Parë, Melania Trump.
Gjatë takimit u diskutua për mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare, si dhe për përmbushjen e standardeve më të larta demokratike, të cilat u vlerësuan lart nga të dyja palët. Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve, në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.







