Presidentja Vjosa Osmani ka folur lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme ndaj dekretit të saj për shpërndarjen e Kuvendit, deri më 31 mars.
Osmani tha se dekreti nuk ka qenë dëshirë e saj, por obligim kushtetues. Ajo tha se vetëm ka formalizuar një realitet ekzistues kushtetues, teksa tha se paraprakisht është konsultuar me dhjetëra juristë para se të nxirrte dekretin.
“Unë e kam një interpretim të Kushtetutës me të cilin pajtohen të gjithë juristët që unë kam konsultuar, e me të cilin dorën zemër janë pajtuar gjithë politikanët, përfshirë edhe kryeministrin, deri në natën finale”, ka thënë Osmani.
Tutje, Osmani ka thënë se Kryeministri Albin Kurti i ishte zotuar se do ta përkrahte edhe për një mandat.
“Që ne do të vazhdojmë bashkë si ky binomi që i dha shpresë Kosovës, duke e vlerësuar punën time deri në superlativë, duke thënë je presidentja më e mirë në shekullin 21”, ka deklaruar Osmani.
Ajo tha se këto deklarata i ka dhënë edhe para, edhe pas zgjedhjeve.
“Këtë vlerësimin për presidentja më e mirë në shekullin 21, e ka dhënë edhe pas zgjedhjeve”, tha Osmani.
Osmani tha se asnjëherë nuk e ka vendosur fatin personal, para dedikimit për fatin e Kosovës.
“Më shumë do të më përshtatej sikur t’i kisha 60 ditë shtesë apo të shtyheshin zgjedhjet pafundësisht. Në asnjë mënyrë mua nuk më është përshtatur një proces zgjedhor… Njeriu i fundit që do t’i përshtatej një dekret i tillë jam unë”, tha Osmani./Reporteri.net



