Ka arritur në 705 numri i viktimave si pasojë e virusit Covid-19. Kjo u bë e ditur pas vdekjes edhe të 8 personave gjatë 24 orëve të fundit, shkruan Gazeta Metro.
IKSHPK përmes një njoftimi për media, bën të ditur se gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.621 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultuan 334 raste pozitive.
Po ashtu, brenda këtyre orëve janë raportuar edhe tetë raste të vdekjes nga koronavirusi, duke u bërë kështu gjithsej 705 viktima, përcjell Gazeta Metro.
Numri total i rasteve pozitive është 20.989 raste nga 98.769 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 që janë testuar deri më tani.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 81 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 15.722 raste, kurse numri i rasteve aktive është 4.562./gazetametro.net





