20.4 C
Mitrovice
E premte, 19 Shtator, 2025
spot_imgspot_img

‘Nuk punojmë pa paga’ – Arsyet pse Trepça po përballet sërish me krizë financiare

Që 22 ditë, punëtorët e kombinatit metalurgjik Trepça në Mitrovicë e kanë ndërprerë punën. Pa pagën e muajit qershor dhe pa shujtat ditore që nga fillimi i korrikut, përfaqësuesit e minatorëve të Trepçës thonë se kombinati po përballet me keqmenaxhim dhe mungesë të investimeve.

Lidhur me situatën e krijuar, më 31 korrik, sindikata e punëtorëve të Trepçës, ka mbajtur një takim me minatorë, në të cilin ka marrë pjesë edhe kryeshefi ekzekutiv i kombinatit, Bashkim Kurti.

“Pa marrjen e pagave dhe shujtave ushqimore, minatorët nuk pranojnë të hyjnë dhe të punojnë në minierë, sepse rrezikojnë shëndetin e tyre”, thotë për Radion Evropa e Lirë Ibrahim Januzi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës.

Në Trepçë punojnë gjithsej 1.200 minatorë, derisa paga mesatare e tyre, sipas Jonuzit, është 740 euro. Sipas të dhënave të fundit të ASK-së, paga mesatare në sektorin publik dhe privat në Kosovë është 521 euro.

Menaxhmenti i Trepçës e arsyeton mosekzekutimin e pagave me mungesë të mjeteve financiare dhe rënie të prodhimit.

Kryeshefi i Trepçës, Kurti, thotë se gjendja financiare e kombinatit metalurgjik është rënduar nga sasia e ulët e prodhimit dhe e shitjes së produkteve.

Ai tregoi se Trepça i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës mjete shtesë për ta mundësuar një zgjidhje, por shton se nuk kanë marrë ndonjë përgjigje konkrete.
Kurti nuk ka dhënë ndonjë afat kohor se kur mund të ekzekutohen pagat e punëtorëve.

“Nuk ka ndonjë arsye tjetër pse nuk janë paguar pagat, thjesht është mungesë e fondeve. E mungesa e fondeve vjen nga mungesa e prodhimit dhe shitjes së produktit të prodhuar”, thotë ai për REL-in.

Produktet kryesore që Trepça prodhon janë koncentratet e plumbit dhe zinkut me përmbajtje të argjendit, arit dhe elementeve të tjera. Miniera e Stantërgut, që gjendet në rajonin e Mitrovicës, është vendburimi kryesor i nxjerrjes së xehes.

Deri në publikimin e këtij artikulli, Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se a planifikon të ndajë ndihmë financiare për Trepçën për pagat e punëtorëve të kombinatit.
Kompleksi metalurgjik Trepça është shoqëri aksionare dhe 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT