Pranvera dhe Marjani janë një prej çifteve më të njohura të rrjeteve sociale. Çifti janë mjaft të afërt me ndjekësit me postimet e tyre nga përditshmëria.
Kësaj radhe, Pranvera, ka vendosur të mos heshtë më përballë komenteve që gjykojnë jetën e saj private dhe martesën me partnerin e saj, Marjanin.
Përmes disa postimeve në Instastory, ajo ka publikuar një mesazh privat nga një ndjekës, i cili i “tërhiqte vërejtjen” se si myslimane nuk i lejohej martesa me një person të një feje tjetër, duke e cilësuar lidhjen e tyre si “imoralitet”.
Mesazhi që nxiti reagimin: “Feja është personale”
Pranvera ka ndarë me ndjekësit përgjigjen e saj të gjatë dhe të prerë, ku thekson se besimi është një çështje tërësisht individuale. “Feja është shumë personale dhe as nuk është nevoja me e bërtitë, se e ke veç për vete e për askënd tjetër,” u shpreh ajo, duke i sugjeruar ndjekësit të hapi mendjen dhe të respektojë zgjedhjet e të tjerëve në kohët që jetojmë.
Harmonia në familje: “Mbi të gjitha kemi dashninë”
Duke sqaruar për herë të parë publikisht këtë aspekt, Pranvera konfirmoi se ajo është myslimane ndërsa Marjani katolik, por kjo nuk ka qenë kurrë pengesë për ta. Ajo nënvizoi se në shtëpinë e tyre mbizotëron respekti i ndërsjellë:
“Unë dhe burri im respektojmë fetë e njëri-tjetrit sepse mbi të gjitha kemi dashninë.”
Mesazhi për fund: Besimi nuk përdoret për përfitime
Në mbyllje të reagimit të saj, Pranvera u shpreh se ndihet krenare për imazhin që përcjellin si çift dhe tashmë si familje me fëmijën e tyre. Ajo theksoi se asnjëherë nuk e kanë përfshirë fenë për përfitime personale apo publike, pasi beson se para Zotit secili gjykohet sipas pastërtisë së shpirtit të tij.






