Lutfi Haziri, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, konfirmoi edhe njëherë që partia e vet nuk jep votë për një qeveri të Vetëvendosjes, përkatësisht tash të Glauk Konjufcës si të mandatuar të radhës.
Haziri e sheh “pak të besueshme” që Glauk Konjufca, ndryshe nga Albin Kurti, të arrijë të bëjë numra për qeveri të re.
“Kosova ka hy në një krizë të gjatë dhe Kosova nuk ka më as Kuvend e as Qeveri. Rasti i konstituimit të Kuvendit është në Gjykatë Kushtetuese e jemi në proces të hapur për zgjedhje të përgjithshme. Mandatari i parë, kryeministri në detyrë, nuk arriti me formu Qeveri. Pak e besueshme që zëvendësi i tij mundet si mandatar me ndërtu një Qeveri me formulën e njëjtë, me emrat e njëjtë, me një ndërrim të vetëm, pa bashkëpunim me parti politike, me deputetët e njëjtë”- tha Haziri për “Kallxo.com”





