Analisti politik, Visar Ymeri ka komentuar deklaratën e fundit të ambasadës gjermane në Kosovë lidhur me ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Ai vlerësoi se reagimi i ambasadës ishte një mesazh i qartë, ndonëse i artikuluar në mënyrë diplomatike, që i drejtohej jo vetëm Serbisë, por edhe qeverisë së Kosovës.
“Reagimi i ambasadës gjermane e thotë në gjuhë shumë diplomatike. Ke probleme tjera o ti njeri. Iu përgjigj Serbisë, por tha ju keni probleme shumë tjera”, u shpreh Ymeri në “VV Show”, duke aluduar se fokusi duhet të jetë në çështje më thelbësore politike sesa në aspekte ndërtimore.
Ymeri theksoi se sipas ambasadës, problemi nuk është infrastruktura, por mungesa e marrëveshjes politike për normalizimin e gjendjes në veri.
“Ambasada gjermane tha se këto ura nuk janë problem sepse qarkullimi normal Mitrovicë e Veriut – Mitrovicë e Jugut, përmes urës dhe urave mund të rrezikohet vetëm nga mosmarrëveshja politike, jo nga pamundësia infrastruktore”, theksoi ai.
Duke e cilësuar të panevojshëm ndërtimin e dy urave të reja, Ymeri shtoi se ndërtimi i tyre, në vend se të lehtësojë qarkullimin, rrezikon të sjellë më shumë tensione dhe ndërhyrje ndërkombëtare.
“Nuk ka nevojë për ato dy ura. Nuk jemi në shi për dy ura të reja, aq më tepër se kur të ndërtohen ato dy ura, gjasat janë shumë më të mëdha se ka me u vendos KFOR-i aty dhe kanë me u bo si qekjo ura qetu, derisa të kemi marrëveshje përfundimtare që njëherë e përgjithmonë të zgjidhet çështja e statusit të Asociacionit e marrëveshjeve që janë bo”