Pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 1 vit burgim me kusht dhe 4 mijë euro gjobë Dijamant Zeqirin lidhur me akuzën për nxitjes të përçarjes dhe mosdurimit, si dhe për armëmbajtje pa leje.
Zeqiri akuzohej se gjatë organizimit të një iftari në sheshin “Adem Jashari” në Mitrovicë, ishte afruar në vendngjarje dhe me një mjet të mprehtë kishte shqyer dhe përdhosur flamurin kombëtar të Republikës së Turqisë, raporton portali Betimi për Drejtësi.
Aktgjykimi u shpall të enjten nga gjykatësi i rastit, Rrahman Beqiri, i cili tha se për veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”, Zeqiri dënohet me 1 vit burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti brenda periudhës prej 2 vitesh nuk kryen vepë tjetër penale. Kurse, për armëmbajtje pa leje, u dënua me gjobë në shumën prej 4 mijë euro.
Gjithashtu, gjykatësi njoftoi se të akuzuarit Zeqiri, do t’i kthehet edhe shuma prej 5 mijë euro e dhënë në emër të dorëzanisë, pas që aktgjykimi të bëhet i plotëfuqishëm.
I akuzuari Zeqiri obligohet që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 200 euro dhe 100 euro në emër të Fondit për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Paraprakisht, prokurori i rastit Bekim Kodraliu, tha se kanë arritur marrëveshje për pranimin e fjaësisë me të akuzuarin Zeqiri, qysh në fazën fillestare të hetimeve dhe pas një bashkëpunimi të të akuzuarit me organet e drejtësisë.
Po ashtu, ai tha se marrëveshja është arritur ne mënyrë të ligjshme dhe vullnetarisht, duke shtuar se në kuadër të marrëveshjes ka rekomanduar që Gjykata të shqiptojë dënim unik për dy veprat penale sipas kushteve të dakorduara ndërmjet palëve.




