Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit K.Sh.
“I pandehuri me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të dobisë financiare, me datën 19.10.2019, ka organizuar transportimin në mënyrë ilegale të dëmtuarit R.O, për në shtetin e Belgjikës,nga i cili më pas do të merrte shumën prej 3 mijë 500 Euro me të arritur në destinacionin e caktuar”- njofton Gjykata Themelore e Gjilanit përcjellë Klan Kosova.
Pas veprimeve të zyrtarëve policorë, i pandehuri është arrestuar në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”.
Me këto veprime i pandehuri dyshohet të ketë kryer veprën penale “kontrabandimi me migrantë”.
“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi për këtë vepër parashihet një dënim mjaft i lartë dhe masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin normal të procedurës penale” shkruan në njoftimin e Gjykatës Themelore të Gjilanit përcjellë Klan Kosova.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.