Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë se një kryeministër që nuk e ka përkrahjen e ShBA’së, nuk i shërben Kosovës.
Miftaraj përmes një reagimi, ka ngritur shqetësimin, se një qeveri dhe kryeministër që nuk ka përkrahjen e ShBA’së nuk i shërben Kosovës.
“Një kryeminister, një qeveri që nuk ka përkrahje dhe partneritet me ShBA, nuk i shërben Kosovës.
Nuk guxojmë të bëjmë eksperimente me të ardhmën”, ka shkruar Miftaraj.
Ky shqetësim nga Miftaraj vjen, pasi Emisari presidencial për misione të veçanta në botë, Richard Grenell, ka thënë sot se administrata Trump kërkon të punojë me partnerë të besueshëm, por Qeveria Kurti nuk është e tillë.
Grenell tha se administrata Trump do të punojë për paqe në Ballkan, por për këtë gjë i duhen partnerë të besueshëm.
“Por ne kemi nevojë për partnerë të besueshëm”, tha emisari Grenell.
“Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme gjatë mandatit të parë të Trump, as gjatë mandatit të Biden. Si republikanët ashtu edhe demokratët e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që destabilizojnë rajonin. Po ashtu edhe BE-ja dhe NATO-ja. Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit”, shkroi Grenell.
Richard Grenell përmendi faktin se kompanitë amerikane gjithnjë e më tepër po investojnë në Shqipëri dhe Serbi, por jo në Kosovë.
Ky reagim i emisarit Grenell vjen për shkak të pretendimit të Kurtit se Kosova kurrë më mirë nuk i ka pasur marrëdhëniet me SHBA-në, për ç’gjë Grenell pati një porosi për kosovarët: “Mos u mashtroni”.//gazetametro.net