Për dekada të tëra, Naim Bahtiri ia kushtoi jetën shërbimit ndaj vendit, duke mbajtur me nder uniformën ushtarake. Për plot 28 vjet, ai ishte pjesë aktive e strukturave të sigurisë, duke dhënë kontribut të pandërprerë në periudha të ndryshme të zhvillimit të forcave mbrojtëse, shkruan Mitropol.
Në vitet e hershme të angazhimit të tij, në një moshë të re, ai iu bashkua Njësisë Speciale nën udhëheqjen e komandantit Bekim Shyti. Në kuadër të këtij angazhimi, Bahtiri shërbeu edhe si trajner, duke përgatitur dhe stërvitur ushtarët në Zonën Operative të Shalës.
Gjatë luftës, ai u dallua për përgatitjen dhe profesionalizmin e tij, duke u renditur ndër ushtarët më të përkushtuar të UÇK-së. Pas përfundimit të konfliktit, ai vazhdoi rrugëtimin e tij në uniformë, këtë herë si pjesë e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK).
Me kalimin e viteve dhe transformimin e strukturave të sigurisë, Bahtiri vazhdoi kontributin e tij edhe në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke qenë pjesë e proceseve të ngritjes dhe konsolidimit të saj.
Pas një karriere të gjatë dhe të ngarkuar me përgjegjësi, ai i dha fund shërbimit aktiv duke u pensionuar. Me këtë rast, bashkëluftëtarët dhe kolegët e tij organizuan një ceremoni nderimi, ku, përveç komandantit Bekim Shyti, morën pjesë edhe figura të tjera të njohura si ish-komandanti i Zonës Operative të Shalës, Rrahman Rama, si dhe pjesëtarë të FSK-së. Të pranishmit shprehën mirënjohje për angazhimin dhe kontributin e tij ndër vite në shërbim të atdheut./Mitropol/



