Mbrëmë pak minuta para mesnate në rrugën “Elvija Qelebija” në Mitrovicë, një 35-vjeçar është sulmuar fizikisht nga persona të panjohur, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se gjithçka ndodhi derisa viktima ishte duke ecur përgjatë rrugës në fjalë, kur sipas tij, pa ndonjë arsye një grup i personave e kanë sulmuar dhe e kanë rrahur keq.
Goditjet e forta që i mori nga të dyshuarit që i zunë rrugën në pikë të natës, 35-vjeçarit i shkaktuan lëndime serioze.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se bashkë me viktimën ishte edhe një dëshmitar, i cili e kishte dërguar viktimën në Qendrën e Mjekësisë Familjare për të marrë ndihmën e parë.
Me të shkuar në spital, 35-vjeçari e kuptoi që si pasojë e rrahjes, ai kishte pësuar frakturë (thyerje) të gishtit të dorës.
Rasti është denoncuar edhe në Polici, të cilët menjëherë janë vënë në lëvizje për të kapur të dyshuarit, por që deri më tani nuk kanë arritur që t’i identifikojnë dhe të bëhet arrestimi i tyre.
Me urdhër të prokurorit, është iniciuar rasti ‘Lëndim i rëndë trupor’.
/GazetaSinjali