Dje dhe zyrtarisht kryetarja e Partisë Guxo, Donika Gërvalla, ka njoftuar se Fatos Geci, djali i vëllait të Gani Gecit, i është bashkuar kësaj partie.
Në njoftimin për anëtarësimi, Gërvalla, Fatos Gecin e quajti “pinjoll i denjë i familjes tradicionale e fisnike”.
Madje ajo në detaje shkroi se Fatos Geci është djali i Halil Gecit, apo vëllait të madh të Gani Gecit.
“Sot, në Partinë Guxo mirëpritëm Fatos Gecin, ekonomistin nga Drenica. Ai po bashkohet me familjen tonë politike, duke pasur guximin, idealizmin, patriotizmin dhe formimin institucionalist që e ka në asht, si pinjoll i denjë i familjes tradicionale e fisnike të Bajraktarit të Llaushës, djali i vëllait të madh nga Shtatë Vëllezërit Geci. Fatos (Halil) Geci është në përfundim të studimeve të doktoratës në fushën e ekonomisë në UP “Hasan Prishtina” si dhe përfitues i tri bursave ndërkombëtare të studimeve doktorale në Cote d’Azur University në Francë. Ai ka disa vjet përvojë profesionale në sektorin e financave, duke u angazhuar në çështje që lidhen me analizën ekonomike, menaxhimin financiar dhe politikat zhvillimore” – ka shkruar Gërvalla.
E bashkimi i Fatos Gecit në “Listën Guxo” natyrisht se është i çuditshëm- duke pasur parasysh qëndrimet e ashpra e të vendosura që axha i tij, Gani Geci ka ndaj këtij subjekti politik, sidomos gjatë javëve të fundit.
E ky kalim i nipit të tij në Guxo vie pak ditë pasi ai publikisht deklaroi se po mundohen t’i përçajnë Gect, por se s’do t’ia arrijnë.
Gani Geci në një prononcim të shkurtër për aderimin e nipit, Fatosit në partinë Guxo tha se nuk ka pse e komenton, pasi është bindje personale politike.
Ndryshe nga shumë komentime të tjera që Gani Geci nuk heziton t’i bëj, kësaj radhe e pa të udhës të mos flasë gjatë.
“Nuk merrem me këtë çështje është çështje personale ajo për secilin individ. Çka me komentu për çështje personale individuale – nuk ka rëndësi është çështje personale dhe bindje politike e secilit individ”, tha Geci për lajminet.