Nazmi Raci, i lindur në Mitrovicë, është një prej figurave më të njohura të sportit mitrovicas, i cili ka kaluar një rrugëtim të gjatë nga fusha e futbollit deri te drejtimi institucional i sportit.
Pasioni i tij për futbollin nisi që në fëmijëri, duke qenë pjesë e ekipeve të të rinjve në klubet e Mitrovicës. Pas disa viteve si futbollist, ai e vazhdoi rrugën në një tjetër dimension – atë të arbitrimit. Për plot 17 vite, Raci ishte gjyqtar i qindra ndeshjeve në Kosovë, duke fituar respekt për korrektësi, drejtësi dhe profesionalizëm.

Pas përfundimit të karrierës aktive si arbitër, ai kaloi në një tjetër mision, duke u bërë kontrollor i gjyqtarëve. Në këtë rol, ai mbikëqyri dhe mentoroi brezat e rinj të arbitrave, duke kontribuar në ngritjen e cilësisë së gjykimit në futbollin kosovar.
Sot, Nazmi Raci është Shef i Sektorit të Sportit në Komunën e Mitrovicës. Ai ka organizuar e mbështetur dhjetëra aktivitete sportive, ka ndihmuar sportistët e rinj të afirmohen dhe ka nderuar figura të harruara të sportit mitrovicas. Një pjesë e rëndësishme e punës së tij ka qenë ndarja e mirënjohjeve për lojtarët e pavarësimit – sportistë që për plot 25 vite ishin lënë në harresë nga institucionet lokale, por që falë angazhimit të tij u rivlerësuan dhe u nderuan siç e meritojnë.

Rrugëtimi i tij nga lojtari, te gjyqtari e deri te drejtuesi i sportit e bën Nazmi Racin një emër të respektuar, i cili shihet si shembull i përkushtimit dhe dashurisë për sportin./MitrovicaSOT






