Nëna e Liridona Ademajt, e cila u vra në nëntor të vitit 2023, ka shprehur ngushëllime për familjen e Arlinda Zekajt, e vrarë më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Përmes një mesazhi të publikuar nga vllau i Liridonës, Leonard Ademaj, ajo ka thënë se lajmi për vrasjen e Arlindës ia ka rihapur plagët e dhimbshme nga humbja e vajzës së saj.
Si nënë që ka përjetuar humbjen e vajzës nga një krim, ajo është shprehur se e kupton dhimbjen me të cilën po përballet familja e Arlinda Zekajt.
“Si nënë që e kam përjetu dhimbjen më të madhe në jetë, humbjen e vajzës time nga krimi, e di mirë se çfarë do të thotë kur ta marrin fëmijën e ta copëtojnë zemrën përgjithmonë”, thuhet në mesazhin e saj.
Ajo ka thënë se vrasja e një tjetër gruaje në Kosovë ia ka rikthyer dhimbjen e humbjes së vajzës.
“Kur e mora vesh se edhe një çikë e Kosovës, Arlinda, u bë viktimë e vrasjes, m’u rihapën plagët e shpirtit dhe m’u copëtua zemra prapë”, ka shkruar ajo.
Në fund të mesazhit, nëna e Liridona Ademajt ka theksuar rëndësinë e drejtësisë së shpejtë për familjen e viktimës.
“Vetëm drejtësia e shpejtë mund t’i ngushëllojë familjarët”, thuhet në mesazhin e saj. /Telegrafi



